E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama hermetizon takimet në rrethe



Fushata për kryetar të Partisë Socialiste, megjithëse nuk e ka vënë Ramën para kundërshtarëve të tij të vërtetë në parti, e ka vënë atë para anëtarësisë dhe pikëpyetjeve që anëtarët e thjeshtë jo rrallë herë ngrenë për humbjen e zgjedhjeve. Por për të shmangur çdo publikim të këtyre pyetjeve apo debateve që mund të ndizen në konferencat socialiste në rrethe, kreu aktual i PS-së, që sipas të gjitha gjasave do ta mbajë këtë post, ka hermetizuar konferencat e degëve, duke lënë jashtë median. Incidenti që ndodhi në Vlorë, ku Rama ofendoi e më pas i nxori jashtë ata që i kërkuan llogari pse humbi zgjedhjet, nuk u filmua apo u pasqyrua drejtpërdrejt nga ndonjë media, por vetëm nga rrëfimet e protagonistëve të debatit. Ky incident duket se i ka lënë shije të hidhur dhe kreu socialist po kujdeset që të mos përsëriten sërish gjëra të tilla në rrethet e tjera. Megjithëse ka shumë pak gjasa që ai t’i shpëtojë një gjyqi të bazës në rrethin e Lushnjes dhe atë të Shkodrës, ku krerët e degëve lokale e kanë akuzuar në mënyrë të hapur Ramën si përgjegjësin kryesor për humbjen e zgjedhjeve dhe kanë kërkuar largimin e tij nga drejtimi i partisë. Në të gjitha takimet, mediat kanë të drejtën të shohin vetëm paradën e dy kandidatëve, që duke kopjuar stilin amerikan të podiumeve ballë për ballë, lexojnë fjalimet përkatëse dhe më pas diskutimi mbi situatën në të cilën ndodhet partia, bëhet me dyer të mbyllura. Rama ka zgjedhur që në çdo takim të heshtë për humbjen e zgjedhjeve, për të metat që kishte ai dhe partia në fushatë dhe të vazhdojë të këmbëngulë për mosnjohjen e rezultatit të tyre duke kundërshtuar kështu dhe opinionin ndërkombëtar që i cilësoi si zgjedhjet më të mira të bëra në vend. Gjatë takimit të fundit në Gjirokastër, kreu në detyrë i PS-së tha se Partia Socialiste nuk hyn në Kuvend pa u zbardhur e vërteta e kutive të votimit. Kreu aktual i PS-së sqaroi dje në Gjirokastër bazën ligjore që i jep Partisë Socialiste gjithë të drejtën të kërkojë hapjen e kutive të votimit. “Kjo do të thotë që ne jemi të detyruar përpara të gjithë atyre që na kanë votuar më 28 qershor dhe përpara Kushtetutës, e cila sanksionon liri dhe të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët e vendit, që të mbajmë një qëndrim të prerë, një qëndrim të vendosur dhe një qëndrim i cili ka të bëjë drejtpërdrejt me kontestimin e legjitimitetit të këtij Parlamenti dhe ta kushtëzojmë hyrjen në këtë Parlament me plotësimin e disa kërkesave që janë në themel të Kushtetutës, në themel të jetës sonë demokratike, në themel të bashkëjetesës sonë demokratike në këtë vend”, - u shpreh Rama. Ndërkohë kandidati tjetër, Maqo Lakrori propozoi rregullime në statusin e PS, por fjalimet dhe tezat e tij nuk janë shumë të forta dhe nuk krijojnë ndonjë impakt tek socialistët.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›