Basha në Elbasan: Ish-metalurgjiku, në park industrial
Elbasani do të shndërrohet në një qendër të rëndësishme industriale, ekonomike, akademike dhe zona e kontaminuar e ish-metalurgjikut në Elbasan do të kthehet në park industrial. Ky është premtimi që bëri dje ministri i Jashtëm Lulzim Basha gjatë një takimi elektoral me banorët elbasanas. Z. Basha u bëri të ditur banorëve të lagjes “Haxhias” se gjatë mandatit të dytë, qyteti i tyre do të jetë qendër ekonomike, akademike dhe e investimeve të mëdha në infrastrukturë. I shoqëruar me kandidatët për deputetë të PD-së të zonës, Luçiano Boçi dhe Mimoza Hasekiu, ministri Basha siguroi: "Ne angazhohemi që në katër vitet e ardhshme dy korridore kryesore të përshkojnë Elbasanin, duke e bërë pjesë të një trebrinjëshi ekonomik shqiptar, boshti qendror jugor dhe rruga e shkurtër Tiranë - Elbasan". Ministri Basha u premtoi banorëve të lagjes "Haxhias": "Brenda vitit të parë të mazhorancës sonë do të përfundojë projekti teknik dhe do të tenderohet projekti teknik që lidh Tiranën me Elbasanin". Shndërrimi i ish- metalurgjikut në park industrial ishte një tjetër premtim i Bashës, i cili tha: "Këtë zonë sot të kontaminuar do ta kthejmë në zonë të punësimit masiv jo vetëm për Elbasanin, por për të gjithë pjesën tjetër përreth Shqipërisë, duke thithur investitorë të huaj". Investimet në Elbasan ishin tjetër premtim i Bashës, sipas të cilit, ato do të shtrihen në çdo qelizë të rrethit, qytetit, në rrugë, ku ende nuk janë asfaltuar në urbanizimin e zonave informale, në ndriçim, ujësjellës, në përfundimin e procesit të legalizimeve.