E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli garanton KiE-në për zgjedhjet



Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, priti dje në një takim të veçantë përfaqësuesit e komisionin ad-hoc të vëzhguesve paraelektoralë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të kryesuar nga Corien Jonker, nga ku garantoi Këshillin e Evropës se zgjedhjet do të jenë tërësisht të lira dhe të ndershme. Më pas ajo e informoi këtë delegacion me infrastrukturën zgjedhore, veçanërisht me kartat e identitetit. “Ajo që është më e rëndësishme, për herë të parë zgjedhësit kanë kartat e tyre të identitetit, me elementet më të forta të sigurisë krahasuar me të gjitha vendet e tjera. Procesi i aplikimit dhe shpërndarjes së kartave po ecën shumë normalisht dhe të gjithë votuesit shqiptarë mund të kenë kartat e tyre të identitetit”,-tha Topalli në takim.

Ajo shtoi se për herë të parë qytetarët do të votojnë me dokumentet të sigurisë më të lartë edhe për vetë vendet e BE-së. “Ndihemi shumë mirë që për herë të parë kemi bërë realizuar një infrastrukturë moderne zgjedhore. Për herë të parë votuesit kanë regjistrin elektronik të zgjedhësve. Për herë të parë kodi elektoral është miratuar me konsensus të plotë gjashtë muaj përpara datës së zgjedhjeve dhe institucionet zgjedhore janë në funksionim të plotë duke përmbushur çdo detyrim ligjor”,-tha më tej Topalli në këtë takim duke i ftuar përfaqësuesit e Këshillit të Europës që të vijnë e të vëzhgojnë procesin zgjedhor në Shqipëri. “Ju dhe të gjithë monitoruesit do të keni mundësi të shihni nga afër procesin më të mirë zgjedhor”-i ftoi Topalli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›