E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizat, Basha: Më herët se 2010-a



Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, është i sigurt për një kohë më të shpejtë të lëvizjes së lirë të shqiptarëve për vizat. Ai pohoi mbrëmë në “Opinion” se liberalizimi i vizave ndoshta mund të arrihet më herët se brenda vitit të parë të mandatit të dytë qeverisës. Kryediplomati shqiptar vuri në dukje progresin e bërë nga qeveria në këtë drejtim, në mënyrë të veçantë përmbushjen e kushtit të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. “Ne kemi bërë progres në këtë proces dhe një fakt të tillë e ka vlerësuar edhe Brukseli në raportet e publikuara. Është pohuar qartë se Shqipëria e ka rrugën të hapur për liberalizimin e vizave drejt zonës “Shengen”, - deklaroi z. Basha. Ministri i Jashtëm, Lulzlim Basha, u ndal dhe tek pajisja e shqiptarëve me pasaportat biometrike dhe ritmet e shpërndarjes së kartave të identitetit. “Në luftën kundër krimit dhe korrupsionit po ashtu kemi bërë progres. Raportet thonë qartë se Shqipëria nuk është më rrugë trafiku. Ritmet e shpërndarjes së kartave janë shumë të larta. Ne jemi optimistë sepse kemi ecur përpara dhe shqiptarët do të marrin pasaportat biometrike për të lëvizur të lirë në Evropë”, - u shpreh ministri Basha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›