E Diel, 1 Nëntor 2026

Mandati i dytë, Berisha: Do të investojmë 8 miliardë euro



Në katër vitet që vijnë, qeveria “Berisha” do të rrisë investimet në Shqipëri nga 800 milionë euro në 8 miliardë euro. Me sigurinë se tashmë Shqipëria është një vend i sigurt për investimet e huaja, Kryeministri Sali Berisha bëri të qartë se vendi ynë mbetet vendi me rritjen ekonomike më të lartë në Evropë, edhe pse nën presionin e një krize ekonomike evropiane dhe botërore të pamohueshme. Por sipas tij, kjo krizë është kalimtare dhe se katër vitet që vijnë, do të jenë të atilla, që shqiptarët sot nuk mund t’i imagjinojnë. Kryeministri Berisha mori pjesë dje në inaugurimin e portit të lëndëve djegëse në Porto-Romano në Durrës. Porti, një investim tërësish i biznesit shqiptar me vlerë 50 milionë euro, garanton standardet më të mirë në trajtimin e lëndëve djegëse. Kryeministri Berisha e konsideroi ndërtimin e portit në Porto-Romano një pikë fillimi për shndërrimin e kësaj zone në një nga nyjat energjetike më të rëndësishme dhe më të fuqishme të rajonit. “Ky katërvjeçar realisht mbyllet me një bilanc të paparashikuar katër vjet më parë për investimet e huaja. Një think-tank shumë i njohur londinez, në vitin 2006 deklaronte se mesatarja e investimeve të huaja në Shqipëri për 10 vitet e fundit ka qenë 70 milionë euro. Ndërsa vitin e kaluar, investimet në Shqipëri kanë qenë mbi 800 milionë euro dhe në katër vitet që vijnë, do të jenë mbi 8 miliardë euro”, - u shpreh z. Berisha. Duke u ndalur tek porti energjetik në Porto-Romano, si një pikëmbështetje shumë e fuqishme dhe jetike për zhvillimin e shpejtë të vendit, Berisha pohoi se ai përbën një fillim të madh për shndërrimin e këtij porti dhe zonës në një nga nyjat energjetike më të rëndësishme dhe më të fuqishme të të gjithë rajonit. Sipas tij, ndërtimi i këtij porti është një tjetër dëshmi e mjedisit shumë të favorshëm për investimet në vend. Në ceremoninë e inaugurimit ishin të pranishëm ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikes, Genc Ruli, anëtarë të tjerë të qeverisë dhe përfaqësues të biznesit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›