Mediu: Mandati i dytë, angazhime maksimale
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, në një takim me anëtarë të PR-së në Devoll tha se “mandati i dytë qeverisës do të jetë mandat angazhimi maksimal për vendin”. Zyra për shtyp e Partisë Republikane bëri të ditur të enjten se kreu republikan Mediu zhvilloi një takim elektoral në zonën e Devollit. Mediu u shpreh: “Ne do të kemi angazhimin maksimal për të parë me përgjegjësi atë që kemi bërë, por dhe atë që do të bëjmë në të ardhmen, sepse kjo është ëndrra jonë, qëllimi ynë, vendosmëria jonë për të vazhduar përpara, atë që kërkon Shqipëria”. “Unë ju siguroj se vota juaj për Partinë Republikane, - nënvizoi Mediu, - do të përfaqësohet denjësisht, do të ketë zërin e saj në Kuvend, zërin e të gjithë shqiptarëve”.