Bregu: PS, po përdor shoqërinë civile kundër qeverisë
Demokratët akuzojnë PS-në se po përdor përfaqësuesit e shoqërisë civile për të zbehur sukseset e qeverisë dhe për këtë, rasti më i fundit është ai përmes Lëvizjes Evropiane. Zëdhënësja e fushatës, znj. Majlinda Bregu, iu kundërpërgjigj dje spekulimeve të Lëvizjes Evropiane në Shqipëri (LESH-it), për pajisjen e qytetarëve me kartat e identitetit duke manipuluar përmes raportit të monitorimit. Ajo i cilësoi përfaqësuesit e kësaj lëvizjeje si individë të cilët maskën e shoqërisë civile e kanë përdorur për të fshehur militantizmin e tyre politik, kanë spekuluar mbi procesin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti. “Në raportin e tyre të monitorimit të këtij procesi kaq të rëndësishëm për të gjithë shqiptarët, të pavarurit militantë të PS-së, Ditmir Bushati dhe Gledis Gjipali, kanë servirur edhe një herë një lumë gënjeshtrash e pretendimesh infantile”, - tha znj. Bregu. Ajo akuzoi se për të disatën herë, kandidatë për deputet të Partisë Socialiste, nën petkun e shoqërisë civile, po manipulojnë të vërtetën mbi momentet më jetike të jetës politike dhe shoqërore të këtij vendi. Sipas Bregut, plotësimi i detyrimeve për realizimin e këtyre zgjedhjeve me standarde evropiane është prioriteti i kësaj qeverie. Zëdhënësja e fushatës së PD-së bëri të qartë se asnjë kandidat i shpallur apo i hatërmbetur socialist nuk mund të mohojë arritjet për të transformuar procesin zgjedhor nga një proces manual i qeverisjes socialiste, në një proces tërësisht transparent e demokratik. Duke iu referuar shifrave të Ministrisë së Brendshme, që bëhen publike ditë pas dite, Bregu pohoi se kjo është dëshmi e qartë se procesi i pajisjes me karta identiteti po ecën normalisht. Ajo informoi se vetëm ditën e djeshme kanë aplikuar për letërnjoftim elektronik 14 900 shtetas, duke e çuar kështu numrin total të aplikimeve në 1 202 584. “Me misionin fisnik të shoqërisë civile si partner në demokratizimin e jetës së një vendi nuk mund të abuzohet nga militantë politikë, qofshin këta ish-komunistë, socialistë, ish-mjaftistë apo G99-sha. Ja kush janë ata që përgatitën raportin e monitorimit të ecurisë së procesit të pajisjes me karta: Ditmir Bushati, kandidat i PS-së në Tiranë, Gledis Gjipali, i biri i Saimira Pinos, anëtare e kryesisë së PS-së”, - deklaroi znj. Majlinda Bregu.