Kombinat, Topalli: Ne do të punësojmë 160 mijë shqiptarë
Kryetarja e Kuvendit ironizoi dje kreun e PS-së, Edi Rama, nga Kombinati, ku ndonëse një njoftim i PD-së u hoq nga Policia Bashkiake, mitingu i Topallit u ndoq nga mijëra qytetarë të kësaj zone të Tiranës. Kur në të njëjtën kohë në Kombinat edhe kreu i PS-së, Rama, zhvillonte një miting, Topalli përpara qytetarëve të Kombinatit tha se PD-ja ka në program hapjen e 160 mijë vendeve të reja të punës, ndërsa, duke përdorur një shprehje të famshme italiane, ajo e cilësoi Ramën si një “faccia da funerale” (i mbaruar). “Siç e keni vënë re, kryetari i Bashkisë në Tiranë, Edi Rama, në italisht i thonë ka një “faccia da funerale”, është i mbaruar fare. Ai u thotë shqiptarëve: “Nëse unë do të fitoj, por ai nuk do të fitojë, unë do të prish kontratat prej miliarda dollarësh. Unë do të prish koncesionet që kjo qeveri dhe ky vend mezi i ka lidhur me investitorët e huaj. Dhe, mbi të gjitha, studentëve u thotë se nuk ua njeh diplomat e marra”, - deklaroi Topalli, duke shtuar: “PD-ja në mandatin e dytë, përqendrimi ynë, fokusimi ynë, do të jetë: e para, punësimi, e dyta, punësimi, e treta, punësimi. 160 000 vende pune, është një fjalë, e cila do të mbahet, është një premtim i cili do të mbahet, sepse vetëm të kontraktuara nga Kryeministri Berisha dhe vetëm nga marrëveshjet ekonomike që kemi votuar në Parlament, janë 5 miliardë euro të tjera. Kjo do të thotë punësim. Kjo do të thotë të ardhura”. Ajo shtoi se Rama për shkak të 15-përqindëshit nuk hyri në listën për deputetë. “Unë dua t’i them nga këtu, nga kjo zonë e Tiranës, kryetarit të Bashkisë së Tiranës: Ti që nuk pranove të hyje në listën e deputetëve, sepse karrigen e deputetit e konsideron si një vend që nuk të jep dot 15-përqindëshin, nuk ka parti të të vijë pas, nuk ka qytetarë të të vijnë pas”, - si dhe tha më tej se në mitingun hapës së fushatës në Qytetin Studenti, Rama shkoi në fushën e Vaterlosë, atje ku etërit e tyre dështuan. “Aty ku ishte Vaterloja e etërve të tyre dhe dështoi. Vazhdoi në Lushnjë dhe takimi aty pothuajse nuk ekzistonte. Shkoi në Fier dhe pati edhe më pak njerëz sesa kishte në Lushnjë. Shkoi në Vlorë dhe u detyrua të ndrydhej në një lagje të vogël. U kthye në Durrës dhe nuk guxoi të dilte në shesh, u ndrydh në një ambient të mbyllur”, - shtoi kryetarja e Kuvendit. Ajo u ndal gjerësisht në mandatin katërvjeçar qeverisës, duke thënë se Shqipëria në katër vite ndryshoi. Sipas saj, katërvjeçari i ardhshëm do të jetë ai i liberalizimit të vizave dhe integrimit të vendit në BE. Në këtë takim mori pjesë edhe ministri i Brendshëm, deputet i Tiranës, Bujar Nishani.