E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha në Elbasan, premton liberalizim vizash

Shefi i diplomacisë shqiptare, Lulzim Basha, premtoi lëvizjen e lirë të shqiptarëve gjatë vitit të parë të mandatit të dytë të mazhorancës aktuale. Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, në takimet me banorë të Komunës Pajovë, Papër, Katund i Ri të Komunës Bradashesh në Elbasan deklaroi se ndryshimi që kjo mazhorancë i bëri Shqipërisë, është vlerësuar nga shqiptarët ashtu dhe nga ndërkombëtarët. "Nën drejtimin e kësaj mazhorance, brenda vitit të parë të mandatit të dytë, qytetarët shqiptarë do të lëvizin pa viza në hapësirën ‘Shengen‘", u shpreh ministri Basha në një takim me banorë të Komunave Pajovë, Papër dhe në fshatin Katund i Ri të Komunës Bradashesh. "Ndryshimi që kjo mazhorancë i bëri Shqipërisë nga Jugu në Veri, ndryshimi i imazhit të saj është sot i vlerësuar jo vetëm nga shqiptarët, por edhe nga udhëheqës e përfaqësues të popullit nga vendet dhe demokracitë më të fuqishme të botës", u shpreh Basha.

Ai solli si shembull deklaratat e ish-presidentit Bush, Presidentit Obama, Presidentit Sarkozi, kancelares Merkel dhe Kryeministrit Berluskoni, të cilët, u shprehën krenarë për arritjet e Shqipërisë, deri te kongresmeni Eliot Engel, që e krahason vizionin e Kryeministrit Berisha për infrastrukturën, me atë të Presidentit Ajzenhauer. "Miku 25-vjeçar i shqiptarëve, kongresmeni amerikan, Eliot Enger, do ta përshkruante si një rrjet infrastrukturor i ngjashëm për kohë dhe për frymë me atë që ndërtoi Presidenti Ajzenhauer në vitet ‘50, dhe Kryeministrin shqiptar Sali Berishën si Ajzenhauerin e shqiptarëve", deklaroi Basha. "Katër vite më parë, askush nuk do ta besonte se pa zbuluar naftë, pa konferencë donatorësh, pa miniera floriri do të mblidhnim 4 miliardë dollarë më shumë, të cilat do t‘ua rikthenim shqiptarëve me mbi 3 mijë kilometra rrugë, mbi 600 ujësjellës, mbi 1000 kanalizime, mbi 1000 shkolla dhe pensione e rroga të rritura", u shpreh ai. Duke vënë theksin se anëtarësimi në NATO nuk ishte dhuratë por meritë, ministri Basha u shpreh se aplikimi për anëtarësim në Bashkimin Evropian çel një kapitull të ri në bërjen realitet edhe të kësaj ëndrre të shqiptarëve.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›