E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Qëndroni larg pazareve të vogla

Në 96-vjetorin e Ditës së krijimit të Drejtësisë në Shqipëri, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i ka dërguar mesazhe politikës, prokurorëve dhe gjykatësve. Kreu i shtetit kërkoi nga politika që të heqë dorë nga ndërhyrjet në drejtësi dhe pavarësisht se theksoi se në sistemin e drejtësisë ka përmirësime të ndjeshme, shtoi se njerëzit e ligjit vazhdojnë të jenë pre e pazareve. 96 vjet pasi qeveria e Ismail Qemalit dekretoi aktin e parë ligjor të shtetit të ri të Shqipërisë, Presidenti Bamir Topi u bëri apel të gjithë njerëzve të drejtësisë, gjykatës, prokurorë apo policë gjyqësorë, të jenë të pavarur nga politika, të pavarur nga klane të caktuara ekonomike. "Gjyqësori dhe institucionet e drejtësisë duhet të jenë të pavarura, kjo mund të shikohet në dy këndvështrime. Pavarësi nga politika, nga klanet e caktuara ekonomike, por nga ana tjetër duhet të shikohet një pavarësi që varet totalisht nga individi që punon në sistemin e drejtësisë", u shpreh Topi. Presidenti Topi theksoi se binomi i pavarësisë do të realizohet në momentin kur çdo prokuror dhe gjykatës do të ndjehej i pavarur në integritetin e tij. "Ka pasur dhe çështje mjaft të rëndësishme që kanë futur në debat dhe politikën me institucionet e drejtësisë", tha Topi. Në Ditën e Drejtësisë, duke i bërë thirrje integritetit të gjyqtarit dhe prokurorit, Presidenti drejtoi vëmendjen te shërbimi ndaj qytetarit dhe shtetit ligjor. "Ju bëj thirrje që të jeni të pavarur dhe të jepni drejtësinë njësoj për të gjithë. Ky është mesazhi më fisnik në Ditën e Drejtësisë, sepse përpara institucioneve të drejtësisë, të gjithë duhet të jenë të barabartë. Njerëzit e thjeshtë kërkojnë drejtësi, sepse ata që kanë mundësi e ndjekin në rrugë të tjera", u shpreh kreu i shtetit. Mesazhi i kreut të shtetit për njerëzit e drejtësisë ishte i qartë: "Përkushtojuni çështjeve të rëndësishme, parimore dhe largojuni sa më shumë çështjeve sekondare që kanë të bëjnë me pazare të vogla që ne i ndeshim sot tek-tuk në sistemin e drejtësisë". Topi, i cili është edhe kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, megjithëse vlerësoi pozitivisht punën e sistemit të drejtësisë, nuk i shmangu tonet kritike për atë që cilësohet si korrupsion brenda radhëve të prokurorëve apo gjyqtarëve.

Topi, në kompetencat e të cilit është edhe emërimi i prokurorëve, kishte edhe një mesazh tjetër për njerëzit e drejtësisë.

"Të vazhdojnë dhe të punojnë me përkushtim, të vazhdojnë me seriozitet dhe të mos vlerësojnë vetëm momentin kur emërohen për një pozicion të caktuar. Nuk mungojnë rastet kur në çastet e emërimit janë shumë të predispozuar, ndërsa në momentet kur ushtrojnë veprimtarinë e tyre sigurisht që nxjerrin mangësi", nënvizoi Topi. Për Presidentin Topi, konsolidimi i shtetit ligjor pas anëtarësimit të vendit në NATO nuk duhet të shihet më vetëm si një sfidë, por si detyrim madhor për vendin dhe shoqërinë.

Kreu i shtetit i bëri deklaratat në prani të ambasadorëve të akredituar në vendin tonë, figurave kryesore të drejtësisë shqiptare dhe politikës gjatë pritjes së organizuar për përvjetorin e themelit të këtij sistemi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›