Basha në Holandë: Pa viza sa më shpejt
Holanda mbështet Shqipërinë në heqjen e regjimit të vizave me Bashkimin Evropian. Kjo u bë e ditur gjatë një takimi në Hagë mes ministrit të Brendshëm Lulzim Basha dhe homologes së tij Guusje Ter Horst dhe Sekretarin e Shtetit në Ministrinë e Drejtësinë Joris Demmink. Gjatë takimit me homologen Ter Horst, Ministri Basha informoi mbi ecurinë e procesit të pajisjes së qytetarëve shqiptarë me pasaporta biometrike, instalimin e sistemeve më të avancuara për kontrollin kufitar dhe analizën e informacionit kriminal si dhe rezultatet e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ndërkohë, Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Drejtësisë së Hollandës Z. Joris Demmink, deklaroi se Shqipëria është edhe më e përparuar se shumë shtete anëtare të BE në lidhje me aspektet teknike të dokumenteve të identitetit dhe sigurisë së kufijve. "Përsa i përket çështjeve teknike për pasaportat dhe sistemin e kontrollit të kufijve, ju jeni shumë para krahasuar me shumë vende të tjera. Ne do ta shohim propozimin e Komisionit Evropian në mënyrë të favorshme, pasi ne e mbështesim idenë, që heqja e vizave të bëhet efektive sa më shpejt të jetë e mundur"- u shpreh Demmink.