E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sllovakia: Askush nuk e përkrah bojkotin

 Politika nuk mund të ndërhyjë për të vlerësuar vendimet e gjykatave. Kështu u shpreh dje ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Lajcak gjatë një takimi me kryeministrin Sali Berisha. Kreu i qeverisë shqiptare shprehu gatishmërinë e maxhorancës për ngritjen e komisionit parlamentar për shqyrtimin e shqetësimeve të ngritura nga opozita, me përjashtim të çështjeve të vendosura tashmë me vendim të formës së prerë nga gjykata. Nga ana e tij ministri sllovak u shpreh se qëndrimi i Kryeministrit Berisha dhe qeverisë shqiptare në respektim dhe mbështetje të institucioneve demokratike dhe të shtetit ligjor është një qëndrim i drejtë që gëzon një përkrahje të gjerë. "Askush nuk e përkrah bojkotin dhe në asnjë rast, politika nuk mund të ndërhyjë për të vlerësuar vendimet e gjykatave. Konkluzionet e Institucioneve Ndërkombëtare të specializuara për zgjedhjet si ato të OSBE/ODIHR, duhen respektuar plotësisht", tha Lajcak. Ndërkohë gjatë takimit me zv.krye-minstrin dhe ministrin e jashtëm, Ilir Meta u bë e ditur se sot do të hapet ambasada sllovake në Tiranë. Ndërkohë edhe Suedia ka bërë të ditur se do të hapë shpejt ambasadë në kryeqytetin shqiptar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›