Kongresi i Lushnjës, pas 90 vitesh politikanët apel për bashkëpunim
LUSHNJE - "Ashtu si 90 vite më parë, politikanët shqiptarë duhet të bashkohen për të mirën e vendit". Kjo ishte moto-ja e ditës gjatë festimeve për përvjetorin e Kongresit të Lushnjës. Që në orët e para të mëngjesit, Lushnja ishte veshur me flamujt e kuq, ndërsa në ceremoninë e mbajtur me këtë rast, me një pjesëmarrje të madhe, u transmetua dhe një dokumentar për ngjarjen historike. Madje, kjo ditë bëri edhe që përfaqësues të dy forcave politike të shtrëngojnë duart duke e festuar të gjithë së bashku në Lushnje, këtë ditë. Merrnin pjesë ministri i Shtetit, Genc Pollo, i Transporteve Sokol Olldashi si dhe deputetët e Fierit, Gramoz Ruci, Bashkim Fino, Mesila Doda, Fatos Tushe si dhe Princi Leka. Me gjithë qetësinë, nuk munguan në fund të ceremonisë, replikat politike, të drejtpërdrejta ose tërthorazi. "Sapo hyj në këtë ambient të shtëpisë-muze lexoj një shprehje: Shpresa humbi. Atdheu ty po të thërret, bëhu i zoti nëse do të rrosh në këtë jetë. Kjo thënie tingëllon shumë aktuale edhe për kohën që po jetojmë, pasi shpresa është ajo që vdes e fundit", u shpreh në deklaratën e tij socialisti Ruçi. Pas tij reaguan ministrat e PD-së. "Do të ishte momenti që në këtë kohë të bashkëpunojnë të gjithë në një sallë, në një frymë ashtu si 90 vjet më përpara", tha Pollo, i pasuar dhe nga Olldashi, se "Mesazhi im në këtë ditë është që të kapërcejmë çdo pengesë edhe sot dhe të bëjmë si 90 vite më parë", deklaroi Olldashi. Në vitin 1920 u riafirmua pavarësia e shtetit shqiptar nga pjesëmarrësit në Kongres. Duke përshëndetur në këtë ditë, Princi Leka gaboi gjatë deklaratës së tij, duke përmendur si vit të Kongresit 1921-shin. m.r