Dokle: Nuk ka hetim të zgjedhjeve pa hapjen e kutive
Partia Socialiste shprehet se nuk ka zgjidhje të krizës pa hapur kutitë e votimit. Deputeti socialiste Namik Dokle tha se PS kërkon transparencë të plotë për votën e shqiptarëve. "Ne përsërisim edhe njëherë qëndrimin e Partisë Socialiste dhe të grupit të saj parlamentar, se nuk mund të ketë zgjidhje të krizës së rëndë parlamentare pa dialog serioz, se nuk mund të ketë dialog real pa hetimin e plotë të zgjedhjeve dhe nuk mund të ketë hetim të zgjedhjeve pa hapjen e kutive ku të gjithë shqiptarët dhe ndërkombëtarët të shohin me transparencë të plotë të vërtetën e 28 qershorit!", u shpreh Dokle. Përfaqësuesi i selisë rozë deklaroi dje, se këmbëngulja e saj për të hapur kutitë është e legjitimuar dhe nga faktori ndërkombëtar. Pas raportit të Këshillit të Evropës, deputeti Namik Dokle tha se ndryshe nga pretendimet e maxhorancës, nuk mund të ketë hetim të zgjedhjeve të 28 qershorit pa hapjen e kutive. "Kërkesa e vazhdueshme e Partisë Socialiste për të hetuar zgjedhjet përmes një komisioni hetimor parlamentar që ka për objekt hapjen e kutive si të vetmen mënyrë për të zbardhur të vërtetën e 28 qershorit është bërë tashmë sugjerim i qartë edhe i faktorit ndërkombëtar. Krerët e qeverisë dhe të PD-së, çdo ditë kanë lëshuar dhe vazhdojnë të lëshojnë fraza absurde se pranojnë çdo lloj hetimi por jo hapjen e kutive. Po çfarë hetimi mund të bëhet pa hapjen e kutive dhe shqyrtimin e gjithë dokumentacionit zgjedhor që ato përmbajnë?" theksoi Dokle.