Kuvendi heq foton e Presidentit Topi nga sallat e komisioneve parlamentare
BLEDAR HOTIFotografia e presidentit Bamir Topi hiqet nga komisionet parlamentare në kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë. Edhe pse është një detyrim ligjor, demokratët vazhdojnë hakmarrjen e tyre ndaj kreut të shtetit, që dikur ishte nënkryetari i Partisë Demokratike. Me fillimin e këtij sesioni të ri parlamentar është vënë re mos ekzistenca e fotos së kreut të shtetit. Sipas ligjit për Protokollin, fotoja e kreut të shtetit, duhet të vendoset në çdo institucion shtetëror, në çdo zyrë. Siç duket një rregull i tillë nuk zbatohet nga vetë ata persona që hartojnë dhe miratojnë ligje në Shqipëri. Komisionet Parlamentare të Ligjeve, të Punës Sociale dhe të Veprimtarisë Prodhuese, ndryshe nga një vit më parë, u vihet re mungesa e kornizës tradicionale me fotografinë e kreut të shtetit. Në këto tre komisione, një vit më parë ka ekzistuar fotografia e kreut të shtetit, por aktualisht ajo nuk ekziston më. Ndërsa mësohet se një vendim i tillë është zbatuar nga të gjitha komisionet e tjera parlamentare, si i Jashtmi, i Sigurisë, Ekonomisë, Integrimit dhe i Medias. Kjo për shkak të një urdhri të lëshuar nga administrata e Kuvendit. Një precedent i tillë ndodhi dhe vitin e kaluar, ku nga Komisioni i Ligjeve u hoq fotoja kornizë e Presidentit. Kjo u argumentua me faktin se do të montoheshin dy kondicionerët e rinj. Kjo ndodhi pikërisht në momentin e konfliktit mes Presidentit dhe Kuvendit në shqyrtimin e 5 kandidaturave për anëtarë të Gjykatës së Lartë më 1 qershor të vitit 2008. Kuvendi i rrëzoi ato pesë dekretet e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, me argumentin se kreu i shtetit nuk u konsultua me partitë politikë. Ndërsa ky vendim është bërë siç duket edhe pa pasur konflikt ndërinstitucional ndërmjet Kuvendit dhe Presidentit.Reagimi i KuvenditPas këtij lajmi ka reaguar kryetarja Kuvendit, nëpërmjet zyrës së shtypit e pranon një vendim të tillë, por e argumenton me faktin se nuk përdoret një praktikë e tillë. Kjo zyrë sqaron se "portreti i Presidentit të Republikës është hequr nga sallat e mbledhjeve apo takimeve ne kryesine e Kuvendit, pasi nuk ka qenë më parë praktikë vendosja e portreteve te kryetarit te shtetit në Parlament". "As presidentët e mëparshëm nuk kanë pasur portrete". Zyra e shtypit e Kuvendit theksoi se një praktike e tille nuk ekziston as ne vende te tjera me demokraci parlamentare. Vetë reagimi i bërë nga zyra e shtypit, lë të nënkuptojë se kjo është bërë me një urdhër të vetë administratës së Kuvendit. Portretet e kreut të shtetit, Bamir Topi ishin vendosur në fillim të Legjislaturës nga administrata, por për këtë shkak u hoqën me vonë. Portreti i Presidentit të Republikës, jo më larg se në shtator të vitit 2009 ndodhej në të gjitha sallat e komisioneve të përhershme parlamentare. Ndërsa më parë, maxhoranca demokrate aktuale nuk e zbatoi një vendim për të pasur foton e presidentit Alfred Moisiu. Kjo nisur nga fërkimet politike që maxhoranca demokrate kishte me kreun e atëhershëm të shtetit për ligje të ndryshme, si dhe për konfliktin për prokurorin e përgjithshëm. Që me marrjen e presidencës, Topi sipas rregullit ligjore ka bërë edhe foton zyrtare, e cila do të përdorej nga të gjitha institucionet e vendit në Shqipëri. Një praktikë e tillë përdoret dhe nga shtetet fqinje siç është edhe Italia, e cila foton e kreut të shtetit e ka në çdo shkollë dhe në institucione shtetërore.