Basha në Konferencën Islamike: Mos vononi me njohjen e Kosovës
Ministri i Jashtëm, z. Lulzim Basha, ka lobuar përsëri në Konferencën Islamike për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga vendet anëtare të saj. Madje, ai kërkoi që të mos kishte vonesa në këtë proces, pasi çdo vonesë ishte në dëm të stabilitetit në Ballkan e më gjerë. Basha mori pjesë në sesionin e 35-të të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Organizatës së Konferencës Islamike, që u mbajt në datat 18 - 20 qershor 2008, në kryeqytetin e Ugandës, Kampala, u mbajt sesioni i 35-të i ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Organizatës së Konferencës Islamike. Siç bën të ditur Ministria e Jashtme, në qendër të fjalës të mbajtur në këtë Konferencë nga ministri Basha, ishte procesi i njohjes së pavarësisë së Kosovës nga vendet anëtare të Organizatës së Konferencës Islamike. Ministri Basha falënderoi vendet anëtare për mbështetjen që i kanë dhënë Kosovës gjatë këtij procesi dhe kërkoi që kjo mbështetje të vazhdojë edhe në të ardhmen. Ai tërhoqi vëmendjen se “vonesat në njohjen e pavarësisë së Kosovës si shtet i pavarur, nuk i shërbejnë paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë”. Kosova, theksoi ministri Basha “është një vend i cili pas një shekulli arriti të fitojë lirinë e vet duke lënë pas të kaluarën e rëndë koloniale”. Në këtë kuadër, ministri Basha shprehu bindjen se solidariteti i vendeve me një të kaluar të ngjashme dhe i bazuar në vlerat e lirisë do të mposhtë çdo pengesë që buron nga mentaliteti i vjetër kolonial dhe imperial i qarqeve të caktuara. Në këtë kuadër, kreu i diplomacisë shqiptare u kërkoi vendeve anëtare që nuk e kanë njohur ende Kosovën, të veprojnë sa më shpejt në këtë drejtim, duke theksuar se Kosova dhe populli i saj janë gati për një partneritet të plotë me komunitetin ndërkombëtar mbi bazat e respektit dhe bashkëpunimit reciprok. Ndërkaq, ai bëri një tablo të plotë të situatës në Kosovë duke informuar përfaqësuesit e këtyre vendeve mbi hyrjen në fuqi të Kushtetutës së shtetit të ri Kosovës më 15 qershor 2008, certifikuar nga Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Pieter Feith, si një dokument që u përgjigjet standardeve ndërkombëtare dhe që është në përputhje me Propozimin Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të të dërguarit special të OKB-së, z. Marti Ahtisaari. Më tej, ministri i Jashtëm theksoi se në përshtatje me realitetin e ri të një Kosove të pavarur, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, më 12 qershor 2008, udhëzoi rikonfigurimin e pranisë civile ndërkombëtare në Kosovë. Njohja e shtetit të Kosovës, marrëdhëniet dypalëshe, situata në Evropën Juglindore, si dhe çështje të tjera, ishin temat kryesore të takimeve që ministri Basha pati me ministrat e Jashtëm të Pakistanit, Arabisë Saudite, Indonezisë, vendit pritës, Ugandës, Egjiptit etj.