E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI-ja akuzon PD-në e PS-në se po prekin kompetencat e Topit

Në një moment kur kreu i shtetit, Bamir Topi, nuk po ndihet aspak komod në marrëdhëniet e tij me politikën, Lëvizja Socialiste për Integrim del në krah të tij. Nënkryetari i kësaj partie, Pëllumb Xhufi, akuzoi dje të dy krahët e politikës për sulme ndaj Topit. Ai tha dje se “LSI-ja konstaton me shqetësim se establishmene të politikës së vjetër e të korruptuar po vazhdojnë edhe në këto ditë të fundit sulmin ndaj institucioneve kushtetuese. Pasi destabilizuan vetë Kushtetutën dhe ekuilibrat institucionalë me puçin e 21 prillit; pasi me votën e padenjë të 16 qershorit në Parlamentin shqiptar, të karakterizuar nga fanatizmi e verbëria politike, rrëzuan dekretet e Presidentit të Republikës për anëtarët e Gjykatës së Lartë, këto establishmene politike, të vjetra, të korruptuara e të diskredituara, po ndërmarrin nisma të tjera ligjore në funksion të pushtimit e të parcelizimit politik të institucioneve kushtetuese”. Në këtë kuadër ai akuzoi konkretisht se PD e PS po përgatisin një ligj për t’i ulur kompetencat kreut të shtetit. “LSI-ja denoncon me forcë nismat e paralajmëruara nga mazhoranca e nga segmente të opozitës mbi hartimin e të ashtuquajturit “ligj organik” për Presidentin e Republikës, që, së bashku me ndryshimet përkatëse kushtetuese, kërkon ta banalizojë e ta kthejë institucionin epror të Presidentit të Republikës, në një instrument politik të mazhorancës apo “të dyshes” së radhës”, - tha Xhufi. Gjithashtu, LSI-ja vlerësoi si tentativa kundër institucionit të Presidentit edhe thirrjet për transparencë të PD-së dhe në procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të institucioneve kushtetuese, si dhe propozimet e PS-së për amendime në rregulloren e Parlamentit. Në këtë situatë ku LSI shprehet hapur në mbështetje të Presidentit, Xhufi deklaron se “LSI-ja shpreh konsideratat dhe mbështetjen e vet ndaj institucionit dhe personit të Presidentit të Republikës, ashtu si dhe ndaj institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme e të gjyqësorit në përgjithësi, të cilët më së shumti kanë qenë këto kohë nën presionin e establishmeneve të politikës së vjetër e të korruptuar”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›