E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani: Rritja e çmimeve, jo ndikim tek të ardhurat

Rritja e çmimeve nuk ndikon në rritjen e të ardhurave tatimore. Kjo është kundërpërgjigjja e PD-së e shprehur dje përmes zëdhënësit të PD-së, Gerti Bogdani, ndaj akuzave të PS-së për mosmbajtje të premtimeve ndaj qytetarëve. Z. Bogdani vuri në dukje se “rritja e çmimeve për të gjithë ata të cilët njohin alfën e kësaj çështjeje, do të thotë rritje shpenzimesh, për rrjedhoje, në asnjë rrethanë nuk ndikon në rritjen e të ardhurave tatimore”.

Zëdhënësi demokrat argumentoi se të ardhurat tatimore prej 20 miliardë lekësh janë rritur sepse administrata tatimore i vjel ato me korrektesë dhe jo si përpara, kur i ndanin një pjesë për buxhetin e shtetit një pjesë për xhepin e shefit. Nënkryetari i grupit të PS-së, Erion Braçe, dy ditë më parë deklaroi se ishte pikërisht rritja galoponte e çmimeve dhe inflacionit që po paguajnë qytetarët, që ka ndihmuar qeverinë të tejkalojë planin në disa zëra tatimesh.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›