Patozi: Kuvendi, ka instrumentet e shmangies së krizës
PD-ja gjen mënyrën për të shmangur krizën me Presidentin duke iu kundërvënë lëvizjeve të z. Topi, për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë përmes ndryshimit të rregullores së Kuvendit. Kryetari i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, konfirmoi dje konkretizimin e lëvizjes së re përballë asaj të Presidentit Topi për mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë. Sipas z. Patozi, Parlamenti ka instrumentet e tij të nevojshme për të shmangur krizën me Presidentin për rastin e dekreteve. Për këtë arsye do të nisë dhe amendimi i rregullores së Parlamentit, amendim që u propozua vetëm dy ditë më parë nga PS-ja. Ndërkohë asnjëra nga dy partitë e mëdha duket se nuk do të shkojnë në seancat dëgjimore në Presidencë për të dhënë mendimin e tyre për emrat e rinj që do të dekretojë kreu i shtetit. Emrat pritet të dekretohen të martën, ndërkohë asnjëra nga partitë nuk ka në plan të dërgojë përfaqësues në mbledhjet e grupit të punës së ngritur nga Topi.këte bëjnë të ditur burime nga të dyja selitë. Si përgjigje partitë po ndryshojnë rregulloren për të pasur seanca dëgjimore në Komisionin e Ligjeve.
Patozi
“Kuvendi ka instrumentet e tij që shmangin krizën me Presidentin nëpërmjet një procedure të njëjtë me mblesërinë. Për këtë arsye do të nisë amendimi i rregullores së Kuvendit”, - deklaroi z. Astrit Patozi. Duket se kjo është kundërpërgjigjja e mazhorancës ndaj paralajmërimit të kryetarit të shtetit se nuk do të përfshijë sërish në procesin e konsultimeve politikën. Kjo lëvizje vjen fill pas ngritjes së grupit të ekspertëve nga Presidenti Bamir Topi, veprim që nuk është pritur mirë nga mazhoranca e djathtë. Duket se PD e PS do të bashkëpunojnë në këtë nismë që zgjidh krizën sipas tyre dhe shmang Presidentin duke parashikuar që Kuvendi të ketë më shumë kompetenca për emërimin e kandidatëve për Gjykatën e Lartë. Ndërkohë, kryetari i deputetëve demokratë sinjalizoi se në kuadër të reformimit të sistemit të drejtësisë, një hallkë e të cilit për momentin ndodhet e bllokuar, javën që vjen do të nisë puna për këtë reformë. Vet mazhornaca i referohet zgjidhjes që jep Gjykata Kushtetuese, që kërkon mirëkuptimin e dy institucioneve, Presidencës dhe Parlamentit për zgjedhjen e kandidaturave. Sipas këtij vendimi, Parlamenti ka të drejtë të diskutojë jo vetëm formalisht përputhjen ligjore, por edhe të futet në substance dhe të diskutojë meritën e çdo kandidature.
Çfarë kërkon PS-ja për rregulloren
Qartësimin më mirë të procedurës së Kuvendit, ku përfshihen vetëm komisionet përkatëse dhe seanca parlamentare. Kryetari i Kuvendit menjëherë nga mbërritja e kërkesës për pëlqim apo emërim, ia kalon atë komisionit përkatës. Zgjatjen në dy javë të kohës në dispozicion të komisioneve përkatëse që synon pikërisht të rrisë kontrollin parlamentar, duke kërkuar që seanca e dëgjimit të jetë e detyrueshme.