Dekretet ,Topi: Jo votim me urdhër politik
Presidenti Bamir Topi i bën thirrje politikës që të qëndrojë larg procesit të përzgjedhjes së 6 anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Kryetari i shtetit lançoi dje grupin e punës që do përzgjedhë emrat të cilët sërish duhet të kalojnë provën e Parlamentit. Ndaj dhe z. Topi i kujtoi dje politikës se “kushtetueshmëria, integriteti moral dhe profesionalizmi janë kriteret e vetme dhe jo emrat. Presidenti vuri në dukje se "dyert e komunikimit institucional janë të hapura dhe çdokush është i ftuar të sugjerojë mbi përmirësimin e standardeve për një shtet juridik më të fortë dhe për forcimin e institucioneve kushtetuese, sigurisht duke mos lejuar në asnjë rast interferenca apo remineshenca antiligjore". Por ai apeloi se deputetët nuk mund të votojnë me direktivë të partisë kur bëhet fjalë për gjyqësorin.
Duke iu referuar dokumentit themeltar të shtetit, Topi u shpreh se logjika kushtetuese thotë se Gjykata e Lartë zgjidhet me pëlqimin nga Kuvendi, jo për të marrë orientimet partiake, por si garanci për të promovuar më të mirët. Në kushte të tilla, kreu i shtetit ftoi dje publikisht të gjithë juristët të paraqesin CV-të e tyre deri ditën e martë. Z. Topi pohoi se situata në hallkën më të lartë të pushtetit gjyqësor është shumë e rëndësishme, ndaj emërimet e reja duhet të bëhen shpejt duke zbatuar standardet. Ai iu rikthye kandidaturave të mëparshme duke thënë se "përzgjedhja e emrave për anëtarë të rinj të Gjykatës së Lartë ka qenë e kujdesshme dhe e konsultuar. Para juristëve, kreu i shtetit komentoi rrëzimin në Kuvend të pesë dekreteve, që sipas tij "nuk kanë qenë në sinkron me pritshmërinë, që ka pasur në ushtrimin e kompetencave të përcaktuara nga ligji themeltar i shtetit. "Pavarësisht nga ky fakt, në vazhdën e një tradite dhe kulture kushtetuese, kam realizuar dhe vazhdoj të ruaj një kontakt të vazhdueshëm me të gjitha institucionet dhe nuk kam lejuar asnjë lloj shmangieje nga përgjegjësitë kushtetuese, të cilat kërkojnë një komunikim ndërinstitucional", - nënvizoi kreu i shtetit. Duke u ndalur tek emrat e propozuar për organin e lartë të gjyqësorit, Presidenti vuri në dukje se ata janë njerëz që kanë punuar në institucione ndërkombëtare, kanë qenë pjesë e qeverive demokratike dhe për ta janë bërë vlerësime mjaft komplekse nga komuniteti i juristëve". Bamir Topi vuri theksin në atë që "Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë është instanca gjyqësore finale, vendimet e së cilës janë përcaktuese në perceptimin e dhënies së drejtësisë në opinionin publik dhe vendimtare në krijimin e jurisprudencës. Për këto arsye madhore kompromiset në përzgjedhjen e gjyqtarëve të kësaj gjykate ecin vetëm në një drejtim, në atë garantimit të kapaciteteve të larta profesionale", - nënvizoi Presidenti. Sipas tij, "ky është një rast kur të gjithë duhet të jenë të vëmendshëm për dy elementë që janë, integriteti moral dhe kapacitetet profesionale”.
Kandidatët, brenda datës 24 qershor
Grupi i punës për përzgjedhjen e kandidatëve për Gjykatën e Lartë përcaktoi dje kriteret që duhet të plotësojnë ata. Sipas njoftimit për shtyp të shpërndarë nga Presidenca, bëhet e qartë se individët që dëshirojnë të kandidojnë për anëtarë në Gjykatën e Lartë, janë të ftuar të paraqesin kërkesat e tyre pranë zyrës juridike të Presidentit të Republikës deri në fund të ditës së martë, 24 qershor 2008. Kandidatët e rinj ashtu si edhe ata që janë paraqitur në procesin përzgjedhës të muajit mars 2008, janë të ftuar të plotësojnë kërkesën e tyre me dokumentacionin e nevojshëm.
Sërish 52 kandidatura për Gjykatën e Lartë
Dita e djeshme shënoi dhe fillimin e garës për anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë. Presidenti Bamir Topi njoftoi dje zyrtarisht në mbledhjen e grupit të punës, fillimin e procedurave për përzgjedhjen e emrave që do t’i dërgohen sërish Kuvendit për votim. Ky proces do të vazhdojë deri ditën e martë, kur sipas njoftimit zyrtar, gara do të quhet e mbyllur. Herën e kaluar kishin depozituar kandidaturat e tyre rreth 50 kandidatë. Përveç 5 emrave të rrëzuar nga Parlamenti, 45 emra të tjerë mund të rikandidojnë. Përveç tyre, gara është e hapur edhe për kandidatura të reja, që duhet të plotësojnë kriteret e kërkuara. Presidenti Bamir Topi tha dje se përzgjedhjen më mirë se politika, e bëjnë specialistët e fushës. Grupi konsultativ përbëhet nga juristë që me mendimet e tyre, do ta bëjnë procesin më transparent dhe do t'i japin më shumë peshë morale dekreteve të reja të Presidentit. Presidenti mirëpret edhe mendimet e grupeve parlamentare. Në mbledhjen e djeshme morën pjesë edhe përfaqësues nga delegacioni i Komisionit Evropian në Tiranë, të misionit EURALIUS, të Prezencës së OSBE-së dhe ambasadës së SHBA-së në Tiranë.