E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha në Sllovaki për zhvillimet dypalëshe

Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha dhe homologu i tij sllovak, Jan Kubis, vlerësuan të premten, gjatë një takimi në Sllovaki, se "e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është integrimi evropian".

Dy homologët nënshkruan Protokollin e Bashkëpunimit mes Ministrive të Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Sllovake për Integrimin evropian. Duke vlerësuar nivelin e marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve, ministri Basha nënvizoi domosdoshmërinë për nxitjen e mëtejshme të tyre, duke shtuar kontaktet politike në nivele të larta. Në këtë kuadër, u diskutua për organizimin e vizitës së Kryeministrit Berisha në Bratislavë në një të ardhme sa më të shpejtë. Nga ana e tij, ministri Kubis shprehu vullnetin dhe angazhimin e palës sllovake për liberalizimin e regjimit të vizave me Shqipërinë, si dhe theksoi se "një gjë e tillë do të ndikojë në nxitjen e mëtejshme të marrëdhënieve ekonomike dhe shtimin e volumit ekonomik mes dy vendeve tona". Gjatë takimit, homologët shkëmbyen mendime për zhvillimet rajonale, duke u përqendruar në ato në Kosovë dhe Serbi. Ata theksuan rëndësinë e stabilitetit në Kosovë si dhe zhvillimet e pakthyeshme në rajon.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›