E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha në Turqi, merr mbështetje për në NATO

• Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha merr mbështetjen e Turqisë për anëtarësimin në NATO.Shefi i diplomacisë shqiptare ka zhvilluar një vizitë në Turqi ku është takuar me homologun e tij, ministrin e Jashtëm turk, Ali Babaxhan si dhe takime të veçanta me Kryeministrin Rexhep Tajip Erdogan dhe me Presidentin Abdullah Gyl. “Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, ishte në qendër të takimeve me autoritetet e larta turke. Ministri i Jashtëm turk, Ali Babaxhan, Kryeministri Rexhep Tajip Erdogan si dhe Presidenti Abdullah Gyl, rikonfirmuan mbështetjen e fuqishme të Turqise për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme. Personalitetet turke vlerësuan politikën e jashtme të Shqipërisë, pjesëmarrjen dhe kontributin e saj në misionet e drejtuara nga NATO, progresin e arritur nga Shqipëria dhe ecurinë e reformave në fushën ekonomike, politike dhe ushtarake. Ministri Basha theksoi se duke mbështetur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, Turqia po bëhet një aktor global, që ka në qendër të politikës së saj, ruajtjen e paqes dhe stabilitetit ne rajon dhe më gjerë. Basha falënderoi në veçanti autoritetet turke për mbështetjen e pakursyer të Turqisë në njohjen e shpejtë të pavarësisë së Kosovës. Në këto takime, u ndanë të njëjtat vlerësime për vazhdimin e dialogut politik në nivelet më të larta dhe për nivelin e mirë të marrëdhënieve tradicionale e historike, dhe theksuan nevojën e thellimit, intensifikimit dhe institucionalizimit të mëtejshëm të marrëdhënieve në të gjitha fushat. Ndërkohë që Kryeministri Erdogan ka konfirmuar vizitën në Tiranë më 25 mars 2008, Presidenti Gyl, mirëpriti ftesën e Presidentit Topi, për të vizituar Shqipërinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›