Simbolet fetare në universitet, problemi rikthehet në Durrës
Studentët me veshje fetare nuk do të lejohen në universitetin publik "Aleksandër Moisiu" të Durrësit. Shfaqja e një tjetër kandidateje për studente me veshje fetare në ambientet e universitetit për regjistrim ka rikthyer diskutimin mbi argumentin. Në fillim të vitit të ri akademik, ky rast duket se do të rikthejë edhe njëherë në vëmendjen e opinionit konfliktin mes institucioneve të arsimit të lartë publik dhe të rinjve që respektojnë veshjet e rekomanduara nga besimi fetar përkatës. Tre vjet më parë, rasti i studentes me veshje myslimane, Behije Hoxha, dhe një tjetër studenti të të njëjtit besim fetar e vendosi universitetin më të ri në vend në qendër të vëmendjes. Rektori dhe bordi akademik i universitetit u tërhoqën, duke i lejuar dy studentët me veshje dhe paraqitje myslimane të vazhdojnë rregullisht studimet e larta në degët përkatëse. Zv.rektori i Universitetit të Durrësit, Mithat Mema, thotë për gazetën "Shqip" se atëherë vendimi u mor pasi rregullorja e brendshme e universitetit, Kodi Etik nuk ishte bërë ende publik. Universiteti ishte në vitin e tij të parë akademik, por tashmë që ai është në vitin e tretë të funksionimit dhe rregullat janë të qarta e duhen respektuar. "Kodi Etik i universitetit ekziston dhe është bërë publik. Nuk mund të cenohet më", thotë zv.rektori Mema, duke lënë të kuptohet se vajza me veshje fetare të besimit të krishterë duhet të zgjedhë mes universitetit dhe rrobës që përfaqëson besimin e saj. Sipas drejtuesve të universitetit, nuk lejohet ekstravaganca e asnjërit krah dhe aq më tepër veshje që bien në kundërshtim me karakterin laik të institucioneve të edukimit të lartë. Drejtuesit e UV-së shprehen të prerë në qëndrimin e tyre, pasi ka një vijë ndarëve mes lirive themelore të njeriut dhe ndarjes së shtetit nga feja të garantuara me Kushtetutë nga njëra anë dhe laicitetit të universitetit të shprehur në ligjin e arsimit të lartë nga ana tjetër. Në fillim të nëntorit 2006, pas mospranimit për ditë të tëra në auditorë të Behijes dhe reagimit që shkaktoi rasti i saj, rektorati i Universitetit të Durrësit i dha fund çështjes së tepër diskutuar mbi paraqitjen me simbole fetare në auditorë, autonominë e universitetit dhe cenimin e të drejtave të mbrojtura me Kushtetutë. Rektori Agim Kukeli dhe bordi akademik pranuan një tërheqje të pjesshme, duke i qëndruar bindjes se veshja dhe paraqitja e studentëve Behije Hoxha dhe Julian Mebelli janë në kundërshtim me rregulloren e brendshme të universitetit. "Aleksandër Moisiu" atëherë vendosi pezullimin e përkohshëm vetëm për atë vit akademik të zbatimit të pjesës së rregullores që prek këtë çështje. Vendimi u argumentua si i mbështetur në faktin që studentët nuk qenë paraprakisht në dijeni të rregullores së universitetit që në muajin prill të atij viti, kur u bënë edhe regjistrimet paraprake të kandidatëve për studentë. Kuptohet që dy studentët nuk e braktisën veshjen në këmbim të ushtrimit të së drejtës për arsimim të lartë në fakultetet e UV-së së Durrësit. Por ata u konsideruan një përjashtim. Të tjera deklarohet se nuk do të ketë.