E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha nënshkruan Konventën e OKB-së për Municionet Thërrmuese

Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, nënshkroi dje Konventën e OKB-së për Municionet Thërrmuese. Pas përfundimit të Ministerialit të NATO-s, së bashku me kolegë të tjerë të vendeve anëtare të Aleancës, ministri i Punëve të Jashtme, z. Lulzim Basha, udhëtoi për në Oslo, Norvegji, ku nënshkroi në emër të qeverisë shqiptare Konventën e OKB-së për Municionet Thërrmuese. Z. Basha mbajti edhe një fjalë në punimet e konferencës që zhvillohej në Oslo me rastin e ceremonisë së nënshkrimit të konventës. Ndër të tjera, z. Basha u shpreh se Shqipëria do të respektojë obligimet e konventës dhe në bashkëpunim edhe me partnerët ndërkombëtarë, do të bëjë përpjekjet maksimale për të pastruar brenda afateve të përcaktuara në këtë konventë, gjithë territorin prej 2.1 milionë metra katrorë në verilindje të vendit, i cili është ende i kontaminuar nga municionet thërrmuese që prej luftës së Kosovës në 1999-ën. Z. Basha njoftoi konferencën se qeveria shqiptare tashmë e ka miratuar në parim konventën dhe së shpejti do të fillojnë procedurat për ratifikimin e saj në Parlament. Konventa për Municionet Thërrmuese u nënshkrua dje prej 93 vendesh anëtare të OKB-së. Pjesëmarrës në konferencën dhe ceremoninë e nënshkrimit të konventës ishin edhe përfaqësues të shoqatës shqiptare të viktimave me qendër në Kukës, të cilët realizuan edhe një takim të veçantë me ministrin Basha. Gjatë qëndrimit të tij shkurtër në Oslo, ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, pati një takim të veçantë me ministrin e Punëve të Jashtme të Australisë, z. Stefen Smith, me kërkesën e këtij të fundit. Gjatë këtij takimi u diskutua mbi potencialet e bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat.

NATO, Topi: Shqipëria, në periudhën vendimtare

Shqipëria është sivjet më e favorshme se kurrë ndonjëherë me rastin e marrjes së ftesës së anëtarësimit në NATO. Këtë e bëri dje të ditur Presidenti i Republikës, Bamir Topi, gjatë përshëndetjes drejtuar Forcave tona të Armatosura me rastin e 96-vjetorit të krijimit. Sipas z. Topi, ajo që na bën të gëzojmë dhe njëkohësisht të reflektojmë, është se aktualisht vendi ynë ndodhet në periudhën më vendimtare të procesit të integrimit në NATO. “Me gjithë sukseset e arritura dhe të pakthyeshme të procesit, faza në të cilën ndodhemi kërkon nga të gjithë përfshirje dhe përgjegjshmëri më të lartë, organizim dhe koordinim më të arrirë, tempe më të shpejta në vazhdimin e reformave që kemi ndërmarrë”, - tha z. Topi. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, shprehu mbështetjen e plotë për arritjen e objektivit madhor për zhvillimin e një ushtrie tërësisht profesionale. Një urim të veçantë Presidenti Topi u drejtoi edhe të gjithë ushtarakëve që shërbejnë në misionet paqeruajtëse jashtë vendit, si në Irak, Afganistan, Çad, Bosnje-Hercegovinë etj., si dhe atyre që shërbejnë si atashe në shumë shtete të botës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›