E Diel, 1 Nëntor 2026

PS-ja, kundër projekteve italiane për energjinë

Investimi italian në Shqipëri prej 2.3 milionë eurosh, i firmosur para dy ditësh nga kryeministrat Berluskoni dhe Berisha, është cilësuar nga opozita si shfrytëzim që italianët po i bëjnë vendit. Deputeti socialist, Andis Harasani, duke folur në emër të PS-së, tha dje në Kuvend se këto investime nuk janë transparente dhe në dobi të shqiptarëve. Ai tha se ato nuk kanë transparencë. “Deri më tani kjo transparencë ka munguar. Si deputet i Partisë Socialiste, do të isha gati të duartrokisja gjithashtu si sukses depërtimin e 2.3 miliardë eurove investime direkte në vend. Por më parë, pres përgjigje për këto pyetje. Ndryshe, kam frikë se ky vend po qeveriset në formën e çifligut të trashëguar jo nga prindi, por si plaçkë e luftës, nga e cila qytetari do të largojë e shkurtojë duart e trazovaçëve politikë”, - deklaroi Harasani. Ai shtroi më pas pyetje në lidhje me studimin e fizibilitetit të këtyre investimeve si dhe ndotjen e mjedisit. Menjëherë u kundërvu ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, i cili i cilësoi deklaratat e Harasanit dhe qëndrimin e PS-së si absurd. Ministri Ruli i cilësoi deklaratat kundërshtuese të opozitës si qëndrime antiglobaliste dhe të paargumentuara, ndërsa investimet italiane i cilësoi si tepër të domosdoshme për Shqipërinë. “Për shkak të mosinformimit ekuivok apo mosdashjes për t’u informuar për të kundërshtuar veprën pa pasur arsye, kemi pasur të ashtuquajtura shqetësime, komente, kundërshtime lidhur me këto dy marrëveshje”, - tha Ruli. Në lidhje me çështjen e transparencës, Ruli vuri në dukje se këto projekte kanë vite që janë diskutuar. Ai tha se marrëveshja e parë u nënshkrua para dy ditësh dhe ishte marrëveshje që i përket një projekti rigazifikimi të gazit të lëngët në zonën e bregdetit midis Fierit dhe Semanit, zonë e cila me vendit të KRRTSH-së është paracaktuar si zonë për t’u zhvilluar për këto lloj impiantesh në vlerësimin se kjo zonë ka vlera të pakta turistike. “Ka qenë kompania që ka ecur më shpejt në realizimin e projektit të saj dhe në marrjen e lejeve. Ky është një projekt i teknologjisë së lartë, nuk është projekt unik, pasi janë rreth 8 ose 9 impiante të tilla në Evropë”, - shtoi Ruli. Por Harasani vuri në dukje dëmtimet, që sipas tij, mund të kenë këto projekte në mjedis apo në përfitimin që mund të sjellin në ekonomi. “Një shi i tërë parash që do të përdoren në 6 projekte të lidhura me energjinë. Brenda pak vjetësh, Shqipëria, së paku do të prodhojë përmes TEC-eve dhe centraleve të energjisë së erës, pothuaj dyfishin e energjisë që prodhon sot. Do të rrisë, si një pasojë indirekte të saj, emetimin e gazit karbonik dhe gazrave të tjerë të dëmshëm për shëndetin e njeriut, në një masë që është e vështirë të llogaritet sot”, - tha Harasani. Ministri i Ekonomisë, Ruli, tha se projektet do të sjellin përfitime të shumta për palën shqiptare. “Projekti është edhe në përputhje me strategjinë energjitike dhe për këtë do të ketë TEC-in e Vlorës. Përveç tarifës koncesionare projekti krijon një punësim të rreth 1 mijë punonjësve, përfshirë këtu trajnimin dhe specializimin e tyre”, - nënvizoi Ruli. Ai shtoi se nga ky investim prej 1 miliard eurosh është se ai do të jetë një burim punësimi, do të përmirësojnë ndjeshëm rrjetin rrugor të zonës, duke rehabilituar rreth 50 km rrugë ekzistuese dhe 70 km të tjera rrugë të reja, ndërsa të ardhurat fiskale do të jenë 30% e shumës së investimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›