E Diel, 1 Nëntor 2026

PS-ja nuk hap dritën jeshile për negociata me LSI-në

Partia Socialiste nuk ka ndërmend të hapë rrugën për negociata me ish-aleaten e saj, LSI, edhe pas kthimit të Kodit Zgjedhor në Kuvend. Një ditë pasi kreu i shtetit ktheu ligjin zgjedhor për shqyrtim në Kuvend, socialistët tregohen të gatshëm që t’u përgjigjen pretendimeve të Presidentit, por janë të vendosur për të mos lëshuar terren në lidhje me pikat për administrimin e zgjedhjeve, një nga pikat që i ka acaruar mjaft marrëdhëniet e saj më Lëvizjen Socialiste për Integrim. Burime nga PS-ja bënë të ditur dje se nga ana e kësaj partie nuk do të hidhet asnjë hap që të ndryshohen nenet që flasin për administrimin e zgjedhjeve, përkundrazi, socialistët vazhdojnë t’i qëndrojnë mendimit se mënyra se si janë përcaktuar këto nene janë një standard i ri që duhet përshëndetur. Ndërkaq, LSI-ja, pak orë pasi President bëri publik vendimin për të mos dekretuar ligjin elektoral, kërkoi që ky rast të shfrytëzohej për të diskutuar dhe përfshirë në Kodin Elektoral kërkesat e saj dhe të partive që e mbështesin. Por, jo vetëm në qëndrimin jozyrtar, por edhe në qëndrime publike, PS-ja e ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të votojë për të ndryshuar Kodin Zgjedhor në ato pika që kërkojnë ish-aleatët e saj. Përkundrazi, edhe pretendimet e Presidentit i konsiderojnë çështje teknike. Madje, sipas PS-së, kreu i shtetit ka vlerësuar pjesën e kodit që flet për administrimin e zgjedhjeve, pikë ku mbështetet kërkesa e LSI-së për negociata.

Kundërshtimi i Topit

Socialistët duket se e kanë zgjidhur nga këndvështrimi i tyre datën e zhvillimit të zgjedhjeve. Ato do të zhvillohen në datën 21 ose 28 qershor dhe jo në vjeshtën e ardhme, sikundër mund të ndodhë sipas arsyetimit që bën kreu i shtetit në vërejtjet e tij për Kodin e ri Zgjedhor. Nënsekretari për çështjet ligjore në PS, Damian Gjiknuri, tha dje se nuk ka asnjë pengesë për kreun e shtetit që të caktojë datën e zgjedhjeve, duke hedhur edhe dyshime se janë arsye të tjera ato që e kanë shtyrë të kthejë sërish kodin në kuvend. Duke iu referuar kodit të ri, Topi thotë se është përcaktuar që 9 muaj para zgjedhjeve të dekretohet data e zhvillimit të tyre çka presupozon që zgjedhjet do të mbahen në vjeshtë, pasi qershori është shumë afër. Ai kërkon sqarim nga Kuvendi për këtë pikë. Ndërkohë, PS-ja nxiton të pranojë që rregullimi teknik të jetë tek muajt, d.m.th nga 9 muaj të ulet në 6 muaj afati i dekretimit dhe jo në shtyrjen e zgjedhjeve të reja për në vjeshtë. Ndërkohë, referuar këtij ligji, Gjiknuri shprehu shqetësimin e PS-së lidhur me kartat e identitetit, duke shprehur dyshimin se ato do të fillojnë të shpërndahen në muajin janar. “Prodhimi dhe shpërndarja e kartave të identitetit vazhdon të mbetet një proces i mbushur me plot mistere dhe aspak transparent. Kanë kaluar mbi 4 muaj nga nënshkrimi i kontratës koncesionare, por akoma nuk dihet qartë dhe me saktësi se kur do të fillojë procesi i prodhimit dhe shpërndarjes së kartave të identitetit”, - tha Gjiknuri.

Topalli dhe Bufi, kritika Topit nga Londra

Dy partitë më të mëdha në Shqipëri kanë kritikuar Presidentin Bamir Topi për kthimin në Parlament për rishqyrtim të Kodit Zgjedhor që u miratua disa javë më parë me një shumicë votash nga parti qeverisëse dhe të opozitës.

Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, tha për emisionin “Zigzag” të BBC-së se Kodi Zgjedhor është miratuar nga një shumicë e gjerë parlamentare, përfshirë Partinë Demokratike në pushtet dhe Partinë Socialiste në opozitë. "Presidenti i është kundërvënë 80 për qind të vullnetit të Parlamentit ose 80 për qind të vullnetit të shqiptarëve dhe është bashkuar me atë që përfaqëson LSI-ja dhe Partia Demokristiane", - tha zonja Topalli, duke iu referuar dy partive të vogla parlamentare, deputetë të të cilave zhvilluan një grevë disaditore urie në kundërshtim të Kodit Zgjedhor. "Në fakt, nuk është hera e parë, - tha zonja Topalli. - Sa herë ka pasur konsensuse të mëdha, një qëndrim i tillë i përsëritur ka qenë i Presidentit". Kryetarja e Parlamentit, Topalli, la të kuptohet se Parlamenti do të votojë përsëri në favor ligjit "siç e parashikon rregullorja, procedurat për të respektuar atë që është mbi 80 për qind e vullnetit të shqiptarëve". Edhe nënkryetari i Parlamentit, Ylli Bufi, i Partisë Socialiste, shprehu rezerva ndaj vendimit të Presidentit për ta kthyer këtë ligj. "Unë ende nuk e njoh tekstin e plotë të arsyeve se pse Presidenti i Republikës e ka kthyer, - tha zoti Bufi në një intervistë për BBC-në. - Po sido që të jetë, më vjen keq që Presidenti i Republikës kthen një dokument, një ligj të miratuar me një shumicë tepër të gjerë, me një konsensus tepër të gjerë në Parlament", - tha ai. Zoti Bufi shprehu besim se vërejtjet e Presidentit ishin për çështje teknike të ligjit që mund të rregullohen.

LSI-ja, protestë me studentët e Juridikut

Studentë të Fakultetit të Drejtësisë dhe Shkencave Sociale, të mbështetur nga Lëvizja Rinore për Integrim, protestuan dje para mjediseve të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencave për ndërprerjen e procesit të mësimit në këto fakultete, si pasojë e rrezikimit të shembjes së godinës së Fakultetit të Drejtësisë. Duke shprehur keqardhjen e tyre për ndërprerjen e mësimit prej më shumë se tri javë, studentët i bënë thirrje ministrit të Arsimit dhe Shkencave, z. Fatos Beja, për marrjen e masave të menjëhershme për gjetjen e një godine tjetër dhe fillimin e menjëhershëm të procesit mësimor. Duke mbështetur kërkesën e studentëve për fillimin e procesit të mësimit, kryetari i LRI-së për Tiranën, Endrit Brahimllari, në një prononcim për mediat u shpreh: “Studentët e Fakultetit të Drejtësisë dhe Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës janë të rrezikuar për jetën çdo ditë e më shumë, si pasojë e rrezikimit të shembjes së godinë së Fakultetit”. Sipas tij, shkak për këtë dëmtim është bërja e një shtese kati mbi këtë godinë, e ndërtuar rreth tre vjet më parë në llogari të Fakultetit të Shkencave Sociale.

FQS, liderë përtej së majtës

Fondacioni “Qemal Stafa” në bashkëpunim me Partinë Laburiste Britanike zhvilluan takimin e radhës me të rinj të qarkut të Shkodrës në kuadër të programit "Lider të së ardhmes". Bashkëbisedimi synonte shkëmbimin e ideve mbi rolin e politikanëve në politikë, angazhimin e tyre dhe përfitimet e shoqërisë nga përfshirja e intelektualëve në politikë. Të rinjtë, intelektualë të rinj, studentë dhe pedagogë nga qyteti i Shkodrës morën pjesë në këtë takim. Të ftuar nga Tirana morën pjesë në këtë takim, duke shkëmbyer idetë e tyre me pjesëmarrësit.

Në hapje të këtij takimi, drejtori ekzekutiv i FQS-së, Saimir Tahiri, deklaroi se "secili prej nesh i konsideruar veçmas, nuk mund të bëjë dot gjë për të ndryshuar mënyrën se si vendi ynë shkon përpara. Është pikërisht kjo arsyeja që na bën të konsiderojmë imperativ domosdoshmërinë për t’u bashkuar me të gjithë ata që zotërojnë kapacitetin për të vlerësuar me sy kritik zhvillimet në këtë vend”. Sipas tij, këta njerëz nuk janë domosdoshmërisht të majtë, por janë të gjithë ata njerëz që besojnë se Shqipëria mund të bëjë ndryshe, të gjithë ata që besojnë se këta që qeverisin sot nuk kanë mundësi dhe aftësi të bëjnë atë që ne kërkojmë për familjet tona, për qytetet tona, për vendin tonë. “Janë të gjithë ata që besojnë se ky popull ka të gjitha mundësitë për të kthyer faqen e historisë, duke shënuar një kapitull të ri”, - tha Tahiri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›