E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilltarët e PD-së: Të ikë Rama, neglizhoi Ditën e Flamurit

Kërkesa e këshilltarëve të PD-së për shkarkimin e Edi Ramës nga kryetar bashkie nuk është marrë në shqyrtim në mbledhjen e djeshme të Këshillit Bashkiak të Tiranës. Ajo është shtyrë për një mbledhje tjetër, meqë nuk ishte në rendin e ditës së mbledhjes. Ndërkohë, këshilltarët e PD-së kishin sjellë flamuj të vegjël të cilët i vunë nëpër tryeza për t’i kujtuar kryebashkiakut Festën e Flamurit, të cilën ai e harroi. Kryetari i grupit të PD-së, Ferdinand Pone, tha dje para Këshillit, ku mungonte Rama, se është shkelur Kushtetuta e vendit, pasi ditën e 28 Nëntorit bashkia nuk bëri asnjë protokoll festimesh. Ndërkohë, kërkesa e demokratëve nuk është mbështetur nga këshilltarët e LSI-së, megjithëse kjo parti është kundërshtare e fortë e Ramës. Monika Kryemadhi nga LSI-ja tha se ky është teatër i radhës dhe se ka çështje më të rëndësishme sesa shkarkimi i Ramës. Në kërkesën për shkarkim të këshilltarëve të PD-së thuhej: “Në më pak se një javë më parë, në 28 Nëntor, Ditën e Flamurit, ditën e ditëlindjes së kombit shqiptar, ditë që festohet nga çdo shqiptar me nderimin, adhurimin e krenarinë më të madhe në të katër anët e botës, kudo që ata ndodhen, ditë që është sanksionuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, neni 14, pika 5, kur thotë se “Festa Kombëtare e Republikës së Shqipërisë është Dita e Flamurit, 28 Nëntori”, kryetari i Bashkisë së Tiranës, në një veprim të turpshëm e të papërgjegjshëm, njëlloj sikur ta kishte Tiranën çiflig të familjes së tij, përjashtoi kryeqytetasit nga festa me një akt fund e krye poshtërues për kryeqytetin e vendit, duke ndaluar çdo lloj veprimtarie festive të bashkisë dhe duke e përjashtuar Tiranën nga çdo lloj dekorimi e zbukurimi për festën më të madhe të shqiptarëve, për festën e mbarë shqiptarëve”. Sipas tyre, me këtë veprim, Edi Rama ofendoi kryeqytetasit. “Ne e kemi të qartë se nuk mund të kërkojmë gjë atje ku materia mungon, nuk mund të kërkojmë as kujdes, as shfaqje të patriotizmit nga Edi Rama po të respektosh Kushtetutën dhe ligjet, të respektosh simbolin frymëzues të saj është një detyrë që të takon ta realizosh për hir të detyrës dhe mandatit që ju e keni shkelur, që ju nuk e respektoni. Dinjiteti i qytetarëve të kryeqytetit kërkon një kryetar që e do Shqipërinë, që respekton simbolet e saj, që nuk i përdhos ato. Edi Rama i ka shkelur ato me të dyja këmbët dhe prandaj duhet t`i vijë turp që të vazhdojë të jetë kryetar i bashkisë së kryeqytetit. Ne këshilltarëve na vjen zor të ngelemi më pas frymës e qëndrimit të qytetarëve të Tiranës. Për ata që ju i turpëroni, ju nuk jeni më kryetari i bashkisë, prandaj dhe ne kërkojmë shkarkimin tuaj nga detyra”, - thuhet më tej në kërkesë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›