E Shtunë, 31 Tetor 2026

Franca ratifikon MSA-në BE-Shqipëri

Franca ratifikoi dje Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit të Bashkimit Evropian me Shqipërinë në një seancë solemne të Asamblesë Kombëtare. Lajmi u konfirmua dje nga ministrja shqiptare e Integrimit, Majlinda Bregu. Në seancën e Asamblesë franceze ka qenë i ftuar edhe ambasadori ynë në Paris. Mbetet që MSA-në ta finalizojë edhe një tjetër vend themelues veç Frances, Gjermania, e cila e ka futur MSA-në proces ratifikimi. Vendi i fundit është Greqia, e cila ende nuk e ka në rend dite ratifikimin e MSA-së me Shqipërinë. Senati francez votoi dje në mënyrë unanime Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit mes BE-së dhe Shqipërisë, duke çuar kështu në 24 numrin e vendeve anëtare të BE-së që kanë përmbyllur të gjitha procedurat e ratifikimit të Marrëveshjes. Në këtë seancë solemne u vlerësua pozitivisht ecuria e vendit në rrugën e reformave që dikton procesi i integrimit në BE. Pas Francës, ratifikimi i MSA-së pritet të përfundojë edhe nga Parlamenti grek, ndërmarrje kjo që do t’i japë fund gjithë procesit të ratifikimit të MSA-së nga vendet anëtare. Pas kësaj do të hyjë në fuqi Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit, e nënshkruar mes BE-së dhe Shqipërisë dhe vendi ynë do të aplikojë për statusin e vendit kandidat.

Bregu, Lange: KE-ja mbështet reformën në drejtësi

Komisioni Evropian vlerëson përpjekjet e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Sipas KE-së, problemet e ngritura po gjejnë adresim të menjëhershëm nëpërmjet strategjive dhe plan-veprimit të miratuar tashmë nga qeveria.

Ministrja e Integrimit, znj.Majlinda Bregu, në krye të grupit të punës së palës shqiptare për dy takime që do të zhvillohen në Bruksel në datat 4-5 dhjetor, Task Forca Konsultative (CTF) dhe Komiteti i Përbashkët (Joint Committee) doli dje në një konferencë të përbashkët për shtyp me z. Dirk Lange, shef i njësisë për Shqipërinë në Drejtorinë e Zgjerimit të KE-së. Në raportimin e saj, ministrja Bregu theksoi rëndësinë që qeveria shqiptare i kushton monitorimit të plan-veprimit lidhur me korrupsionin, monitorim ky që do të bëhet nga struktura në nivel të lartë administrativ. «Këto struktura do të mblidhen gjatë këtij muaji dhe do të vendosin detyrat konkrete për t’u realizuar në vitin 2009. E rëndësishme është që për çdo masë të ndërmarrë do të ketë financim të mjaftueshëm për zbatimin e saj», - tha znj. Bregu, duke shtuar se në monitorimin e kësaj strategjie, pala shqiptare konsideron të rëndësishme përfshirjen e shoqërisë civile nëpërmjet mbështetjes financiare që qeveria i ka akorduar OJF-ve të fushave përkatëse.

Komisioni Evropian vlerësoi gjithashtu reformën në fushën e drejtësisë si dhe konsensusin politik të arritur i cili ka rezultuar me një sërë ligjesh të rëndësishme në këtë fushë, veçanërisht ligji për administratën gjyqësore, për avokatët/noterët, ligji për përmbarimin, ndryshimet ligjore për prokurorinë dhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë etj. Lidhur me këtë, ministrja Bregu deklaroi para Komisionit se buxheti i 2009-ës për gjyqësorin ka një rritje të konsiderueshme rreth 3 herë më shumë, duke treguar se në kuadër të zbatimit të kriterit politik dhe standardeve evropiane, qeveria shqiptare ka prioritare reformën në drejtësi. Gjithashtu, KE-ja vlerësoi zhvillimin e kulturës politike mes forcave në Parlament si tepër të rëndësishëm për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, si një prioritet kryesor i qeverise shqiptare për vitin 2009 dhe në mënyrë të veçantë faktin që qeveria shqiptare ka marrë në konsideratë rekomandimet e KE-së menjëherë pas publikimit të progres-raportit. Gjatë diskutimeve dypalëshe u konstatua se zhvillimet pozitive në të gjitha fushat e mësipërme do të ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në kryerjen me sukses të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, që janë cilësuar prioritet kyç i qeverisë shqiptare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›