Basha, pas takimit me Rice: Vendi më afër NATO-s
Ministri i Jashtëm flet pas takimit të zhvilluar me Sekretaren Amerikane të Shtetit
TIRANË- Shqipëria gëzon përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për integrimin e saj në strukturat Euroatlantike. Madje, kjo përkrahje i është garantuar ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha në një takim që ai ka zhvilluar dje me Sekretaren e Shtetit, Kondoleza Rajs, në Departamentin Amerikan të Shtetit. Gjatë këtij takimi, sekretarja Rajs i ka garantuar ministrit Basha përkrahjen e madhe dhe të pathyeshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në rrugën drejt integrimit në strukturat Euroatlantike. Të paktën kështu bëhet e ditur në një njoftim të zyrës së shtypit të Ministrisë së Jashtme, ku thuhet se, përveç integrimit të Shqipërisë në strukturat Euroatlantike, një tjetër çështje e diskutuar mes sekretares Rajs dhe ministrit Basha ka qenë dhe statusi përfundimtar i Kosovës. Për këtë çështje, sipas njoftimit për shtyp, Sekretarja amerikane e Shtetit ka shprehur mbështetjen e saj për finalizimin e procesit të statutit të Kosovës. Gjithashtu, Rajs është shprehur qartë për domosdoshmërinë e mbylljes së këtij procesi. Nga ana e tij, ministri Basha, gjatë një interviste dhënë për "Zërin e Amerikës", tha se ai është larguar nga vizita me sekretaren Kondoleza Rajs me përshtypjet më të mira, me vlerësimin se ishte një vizitë e suksesshme dhe se Shqipëria është më afër marrjes së ftesës për në NATO në Samitin e Bukureshtit. "Takimi ishte jashtëzakonisht i përzemërt, mund të them se ndonëse ka një diferencë prej 6 orësh mes Tiranës dhe Washingtonit, akrepat e orëve tona rrahin me të njëjtin ritëm, sinkronizimi ynë është i plotë sa i përket çështjeve rajonale, sa i përket çështjes së Kosovës, por edhe përsa i përket perspektivës euroatlantike për Shqipërinë, por në fakt të gjithë rajonit",- tha Basha, duke theksuar se e njohu sekretaren Rajs me përparimin e bërë nga Shqipëria në reforma të ndryshme, e takoi atë për të rrahur mendimet dhe për të koordinuar veprimet, qoftë për çështjen e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, qoftë për çështjes së statusit të Kosovës.