KLSH, ndjekja e punimeve të rrugës pa supervizor
Përveç kontratës për supervizimin e tunelit, kontratave të tjera u ka kaluar afati i vlefshmërisë që prej 25 shtatorit 2007
TIRANË- Raporti i Kontrollit të Shtetit konstaton një sërë shkeljesh dhe abuzimesh financiare, por edhe veprime në kundërshtim me ligjin, sa i përket rrugës Rrëshen-Kalimash. Një rast i tillë është ai për zbatimin e kontratës së supervizimit të punimeve për ndërtimin e rrugës Rrëshen-Kalimash. Pas kontrolleve përkatëse që kanë bërë, ekspertët e KLSH-së konstatojnë në raport se, dhënia e shërbimit të supervizimit konsulentëve, të cilët kanë detyrimin e përgatitjes së projekteve të zbatimit, nuk është e përshtatshme dhe efiçente. Kjo, "pasi konsulentët kanë paraqitur performancë të dobët përsa i përket respektimit të afateve përfundimtare të përgatitjes së projekteve të zbatimit, nga mosrespektimi i të cilave rrjedhin pasojat negative që ndikojnë ndjeshëm në rritjen e kostos së rrugës". Këtë konstatim ekspertët e KLSH-së e argumentojnë duke marrë si shembuj kontratat përkatëse që janë lidhur. Kështu, më datën 23 qershor 2007 është lidhur kontrata me kompaninë "Scetaurout International", për shërbimin e supervizimit të ndërtimit të rrugës Rrëshen-Rreps, me afat tre mujor. Një tjetër kontratë shtesë është ajo lidhur me kompaninë "Italconsult" për supervizimin e rrugës Rreps-Thirrë, po për një periudhë tre mujore. Gjithashtu, një kontratë tjetër është lidhur për supervizimin e ndërtimit të rrugës Thirrë-Kolsh, me kohëzgjatje tre muaj, sërish me firmën "Scetaurout International". Të gjitha kontratat e sipërpërmendura, sipas raportit, i ka kaluar afati i vlefshmërisë dhe deri në momentin e kontrollit për ndjekjen e punimeve të kësaj rruge nuk është caktuar supervizor. Raporti konstaton se, përveç kontratës për supervizimin e tunelit, kontratave të tjera u ka kaluar afati i vlefshmërisë që prej 25 shtatorit 2007 dhe deri në momentin e kontrollit nuk është caktuar supervizor për ndjekjen e punimeve të kësaj rruge.