Mungesa e energjisë, sot dita e tretë e mbylljes së TV A1
KESH nuk rilidh energjinë: Nuk ka ardhur vendimi i ERE-s
Sot Televizioni A1, pjesë e grupit mediatik "Spektër" sh.a., është në ditën e tretë të ndërprerjes së transmetimeve. Mbyllja e televizionit u bë mesditën e të hënës, pas dëmtimit të gjeneratorit me naftë, i cili kishte furnizuar me energji elektrike studiot televizive, pas ndërprerjes së energjisë mesditën e 13 dhjetorit 2007. Edhe dje, në ditën e dytë të mbylljes së televizionit, Korporata Elektroenergjetike e Shqipërisë (KESH) refuzoi të zbatonte vendimin e Entit Rregullator të Energjisë (ERE) për të rilidhur energjinë për Televizionin A1 në ambientet e ish-Kinostudios, një veprim që duhej të ishte bërë që më 26 janar 2008. Të kontaktuar nga drejtuesit e televizionit, drejtuesit e KESh-it u justifikuan se nuk e kishin marrë ende vendimin e ERE-s. Enti Rregullator i Energjisë kishte urdhëruar KESH-in, në 25 janar 2008, që të rilidhte energjinë elektrike në studiot e Televizionit A1. Vendimi u dha një javë pas zhvillimit të një seance dëgjimore mes përfaqësuesve të Televizionit dhe KESH-it. Në vendimin që ERE i drejtoi z.Gjergji Bojaxhi, Drejtor i Përgjithshëm i KESH-it, deklaronte se faturimi i bërë nga KESH-i, me faturë aforfe është i pabazuar në ligj, sepse ai lejohet vetëm kur matësi është jashtë kushtit teknik, ose i dëmtuar. Përsa i takon pasaktësisë në matjen e energjisë së konstatuar nga kontrolli i KESH-it, ERE vëren se nga ana e KESH-it nuk është vepruar në përputhje me Kodin e Matjes, ku përcaktohet se kur konsumatori ka paguar më pak për shkak të gabimit në matje, atëherë ai detyrohet të paguajë vlerën e mbetur për 12 muajt e fundit. Përsa i përket shumës së vendosur, ERE vërejti se ajo duhej të ishte negociuar me konsumatorin për mënyrën e shlyerjes së saj.
Për këto arsye ERE i kërkoi KESH-it, rilidhjen e furnizimit me energji elektrike të TV A1, rregullimet për pasaktësinë në aparatin e matjes të kufizohen vetëm në periudhën e fundit 12-mujore ndërsa KESH-i dhe TV A1 të bien dakord për mënyrën e shlyerjes së vlerës. ERE kishte ndërmjetësuar edhe herën e kaluar në nëntor 2007, kur për tre javë pallati te ish-Blloku ishte lënë pa energji pas dëmtimit të kabinës elektrike, e cila ishte refuzuar për t'u riparuar nga ana e KESH-it.
Në një intervistë të dy ditëve më parë, zj. Brixhida Kokëdhima, Drejtore e Shoqërisë "Spektër" sh.a., deklaroi se: "Ne do të sensibilizojmë opinionin e brendshëm dhe të jashtëm, për të gjitha goditjet e rënda që organet qeveritare kanë drejtuar mbi ne, me qëllim që të vënë nën kontrollin e qeverisë politikat editoriale të redaksive tona. Ne kemi vlerësuar gjatë gjithë kësaj kohe, interesimet pozitive të shumë institucioneve e personaliteteve, të cilët janë përpjekur të ndikojnë për të reduktuar presionet e mëdha të Qeverisë mbi grupin tonë". Ajo shprehu keqardhjen për këto situata, në të cilat ndodhet liria e mediave në Shqipëri.