E Diel, 1 Nëntor 2026

"Dita e Kujtesës", Kuvendi seancë të posaçme

TIRANË- Një seancë e posaçme plenare, e quajtur "Në besë të shqiptarit", është mbajtur dje nga Kuvendi i Shqipërisë me rastin e Ditës së Kujtesës së viktimave të Holokastit, "Shoah"-s. Të pranishëm në këtë seancë, përveç deputetëve, ishin dhe përfaqësues të familjeve shqiptare që kanë strehuar hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, si dhe përfaqësues të familjeve hebreje që janë strehuar nga shqiptarët, Ambasadorja e Izraelit në vendin tonë, Amira Arnon, kryetari i Komisionit të SHBA-së për Ruajtjen e Trashëgimisë Amerikane Jashtë Shteteve të Bashkuara, Uarren Miller, historianë e akademikë, si dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik. Në fillim të kësaj seance të gjithë të pranishmit kanë ndjekur një dokumentar, ku jepeshin dëshmi të ndryshme se si gjatë periudhës së luftës nuk u dorëzua asnjë hebre tek gjermanët, por ata u strehuan dhe u mbrojtën nga familjet shqiptare. Më pas, fjalën e ka marrë Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila deklaroi se, Shqipëria është i vetmi vend i pushtuar, i cili shmangu persekutimin e hebrenjve nga nazistët dhe i vetmi vend i pushtuar ku hebrenjtë mbijetuan 100%, "i vetmi vend, ku hebrenjtë e pas Luftës së Dytë Botërore ishin më të shumtë në numër sesa para luftës". Seancën plenare e përshëndeti edhe Kryetari i Komisionit të SHBA-së për Ruajtjen e Trashëgimisë Amerikane Jashtë Shteteve të Bashkuara, Uarren Miller, i cili nënvizoi se Shqipëria ka dhënë një shembull për t'u ndjekur nga të gjithë dhe shprehu falënderimet në emër të SHBA-së, për shembullin e dhënë për kombet e tjera. Seancën e përshëndetën edhe përfaqësues të familjeve shqiptare dhe atyre hebreje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›