E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha për buxhetin në Njësinë 11: Investime sa për 10 vjet

Basha: Objektivi parësor, rritja e shanseve për punësim dhe zhvillimi progresiv ekonomik. Prezantohen pesë projektet e mëdha të infrastrukturës për këtë zonë

Banorët e Njësisë Bashkiake 11 do të përfitojnë investime në buxhetin e Bashkisë së vitit 2012 sa në 10 vitet e fundit të marra së bashku. Projekti i këtij buxheti u prezantua dje në këtë zonë të Tiranës nga kryebashkiaku Lulzim Basha. Projektbuxheti për këtë zonë parashikon, sipas Bashkisë, rikualifikimin urban të infrastrukturës rrugore, ujësjellës-kanalizime, rikonstruksion dhe ndërtim shkollash, kopshtesh e çerdhesh, ndërtimin e një qendre sociale dhe mjaft investime të tjera. Ndërsa kjo shihet si një rikthim vëmendjeje në një nga zonat më problematike të kryeqytetit. “Një pjesë e madhe e këtyre investimeve shtrihet në territorin e njësisë bashkiake nr. 11, një njësi e cila për një kohë të gjatë është lënë jashtë vëmendjes dhe pasojat e kësaj mungese të vëmendjes ju i vuani në mënyrë të përditshme”, - tha Basha në takim me banorët. Sipas tij, për këtë njësi bashkiake janë planifikuar për vitin e ardhshëm fonde të mjaftueshme të ndërtimit të Unazës në Kodër-Kamëz me një gjatësi prej 1300 metrash, ndërtimin e rrugës që lidh rrugën “Don Bosko” me rrugën “Egnatia”, rehabilitimin total të bllokut mbi shinat në një sipërfaqe prej 30 hektarësh, ndërtimin e kanalizimeve të ujërave të zeza në kufi me komunën e Paskuqanit, ndërtimin e kanalizimit të ujërave të zeza në Bregun e Lumit. Kryetari i Bashkisë tha se këto prioritete janë vendosur pas konsultimit me të zgjedhurit vendorë. “Këto 5 investime të mëdha infrastrukturore janë rezultat i një konsultimi paraprak me të zgjedhur të njësisë vendore 11, me kryetarin Haki Mustafa por edhe përfaqësues të tjerë të zërit të komunitetit të kësaj njësie vendore”, - tha Basha. Sipas kryebashkiakut, në buxhetin e vitit 2012 është parashikuar rikonstruksioni i dy kopshteve në rrugën “Gjergj Legisi” dhe në Kodër-Kamëz dhe po kështu do të bëhet instalimi i pajisjeve të ngrohjes në kopshtin e Bregut të Lumit. Investime janë parashikuar edhe në shkollat e kësaj zone, përfshi një komponent shtesë në shkollën “Isa Boletini” dhe ndërtimin tërësisht nga e para të shkollës 9-vjeçare “Ahmet Gashi”.

Banorët e njësisë bashkiake numër 11 janë përfituesit kryesorë të një sërë projektesh strategjike që marrin jetë gjatë vitit 2012, siç është ndërtimi i terminalit të ri të trenit dhe autobusëve urbanë dhe interurbanë. Kjo sipas kreut të Bashkisë do të mundësojë edhe zhvendosjen e shinave të trenit, një problem tejet shqetësues për banorët e Laprakës. Po kështu linja e tramit, Laprakë- sheshi “Nënë Tereza”, rehabilitimi i lumit të Tiranës, ndërhyrja në rrethrrotullimin e Doganës dhe mbikalimet që parashikohen të ndërtohen përgjatë rrugës së Durrësit, janë projekte që kanë impakt mbi këtë zonë si për sa i përket zhvillimit ekonomik, ashtu edhe punësimit. “Vendosja e këtij terminali realizon nga pikëpamja infrastrukturore një hap shumë të rëndësishëm para se të nisë investimi strategjik i bulevardit të ri nga Stacioni i Trenit deri tek lumi i Tiranës dhe më pas deri te rezervuari i Paskuqanit, që është edhe bërthama e parkut të ri të qytetit të Tiranës. Nga pikëpamja e zhvillimit të ri ekonomik dhe e Tiranës policentrike, vendosja e këtij terminali multimodal pasagjerësh me një afërsi gjeografike pothuajse të puqur me njësinë vendore 11, përfaqëson një nga ndërmarrjet tona më të rëndësishme të zhvillimit dinamik të Tiranës në tërësi dhe të njësisë vendore 11 në veçanti”, - theksoi Basha.

Ai ka theksuar gjithashtu fillimin e punës për një segment të ri të Unazës së Re. “Një investim tjetër që do të nisë vitin e ardhshëm ku Bashkia do të luajë një rol kryesor në planifikim dhe këtu kemi padyshim edhe rolin tonë buxhetor, ndonëse më modest në krahasim me rolin buxhetor që do të luajë qeveria, është segmenti i Unazës së Re nga qendra ‘Kristal’ tek Teknologjikja, për t’u bashkuar me Unazën e Re që është ndërtuar prej kohësh dhe ndërtimin me dy nivele të rrethrrotullimit të Doganës”, - tha ai. Ndërkohë, kreu i Bashkisë ka përmendur edhe rehabilitimin e lumit të Tiranës. “Lumi i Tiranës është sot në gjendje të degraduar, por me projektin që ne parashikojmë ky lumë jo vetëm do të rehabilitohet, por do të jetë pjesë e rëndësishme e zhvillimit urban të Tiranës”, - ka theksuar Basha. Madje sipas tij, projekti në fjalë ka avancuar, ndërkohë që shumë shpejt pritet të fillojë puna edhe për ndërtimin e katër mbikalimeve në rrugën e Durrësit. Kryetari i Bashkisë u ka premtuar banorëve se ata do të konsultohen, ashtu si për projektbuxhetin, edhe për vendimet e tjera që i prekin ata drejtpërdrejt.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›