Doganat, bien të ardhurat nga cigaret
Gjatë dy muajve të fundit ka rënë në mënyrë drastike importi i cigareve. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka raportuar se gjatë muajit tetor është vënë re një ulje e madhe e sasisë së cigareve që kanë hyrë në Shqipëri. Duke iu referuar shifrave që deklarojnë doganat, gjatë periudhës janar-tetor 2011, në Shqipëri janë futur 2 607 ton cigare, kundrejt 3 500 tonëve që janë futur në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në këtë mënyrë, doganat e kanë mbyllur muajin tetor me 893 ton cigare më pak, gjithmonë nëse do të konsideronim se konsumi këtë vit nuk është rritur, por ka mbetur i njëjtë me atë të një viti më parë. Sasia e cigareve të importuara gjatë tetorit (periudha më e afërt që doganat ofrojnë të dhëna) është më e ulëta e arritur të paktën që prej vitit 2007. Në këtë vit, në Shqipëri kanë hyrë 2 840 ton cigare, në vitin 2008 u importuan 3 432 ton, ndërsa në 2009-ën u zhdoganuan 3 729 ton cigare. Arka e shtetit shqiptar ka mbledhur rreth 2.6 miliardë lekë vetëm nga importi i kësaj sasie gjatë periudhës janar-tetor 2011, kundrejt 3.5 miliardë lekëve të mbledhura përgjatë së njëjtës periudhë të një viti më parë.