E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Basha", përplasje në Kuvend

 

BLEDAR HOTI

Opozita i kërkon dorëheqjen Ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, por ky i fundit shprehet se gëzon mbështetjen e maxhorancës dhe të shumicës së shqiptarëve. Seanca e djeshme parlamentare është shoqëruar me debate të ashpra mes pozitës dhe opozitës, në lidhje me hetimin e nisur nga prokuroria ndaj Ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha. Kryediplomati ka bërë të qartë se hetimi ndaj tij vjen prej faktit se kemi të bëjmë me një prokurori politike. Deputetët e PS-së kanë deklaruar njëzëri se Basha duhet të largohet dhe të shkojë dhe të paraqitet në prokurori.
Debatet
Deputetja socialiste Arta Dade ka qenë e para që ka diskutuar në lidhje me këtë çështje, duke bërë të ditur se Basha po dëmton imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. "Korrupsioni ka gjetur strehë ne valixhen e imunitetin diplomatik të ministrit të pandehur. A nuk është betuar ky ministër para Kushtetutës se do të mbrojë e shërbejë interesave të vendit? Ky nuk është shërbim ndaj interesave të vendit. Largimi i tij do t'i shërbente interesave madhore të vendit dhe kombit. Ky do të ishte patriotizëm jo demagogjik", deklaroi Dade. Më pas ka ndërhyrë Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, i cili ka bërë të qartë se këto qëndrime të opozitës janë skenare të opozitës. "Është e qartë se kemi të bëjmë me një absurd. Një absurd të stisur në zyrat e Edi Ramës dhe fatkeqësisht të ndërmarrë si sulm nga një prokurori, segmentet e së cilës kanë rikthyer prokurorinë politike në Shqipëri.
Më lejoni të them këtu se kjo nuk më impresionon aspak, as nuk ndikon në detyrën time si ministër. Po është e vërtetë që jam betuar para Kushtetutës së vendit t'i shërbej vendit, Kushtetutës dhe ligjeve dhe këtë do ta bëj pavarësisht nga presionet, nga lufta politike dhe nga sulmet që organizohen nga zyra e Edi Ramës dhe segmentet e tij në Prokurorinë shqiptare", deklaroi Basha. Ai theksoi më pas se "do ta bëj këtë me vendosmëri dhe asgjë nuk do të më ndalë që të mbroj betimin tim para Kushtetutës, prandaj ndodhem sot këtu dhe do të vazhdoj të jem këtu për sa kohë të kem besimin e shumicës së kolegëve të mi dhe shumicës së shqiptarëve". Ndërsa deputeti socialist Balla ka reaguar, duke u shprehur se Ministri i Jashtëm nuk ka kurajon të shkojë në prokurori. "Unë dhe ky njeri jemi të rinj në politikë, kemi ardhur në këtë parlament në vitin 2005. Unë dhe Lulzim Basha jemi deputetë të rinj. Nëse ndaj meje do të ishte ngritur një akuzë e tillë do të jepja dorëheqjen dhe nuk do merresha kurrë me politikë. Ndërsa Basha vazhdon të japë dëngla në kuvend por ai nuk duhet të shkelë më këtu dhe të hedhë baltë mbi institucione, - deklaroi deputeti socialist Balla".

Gjykata s’përjashton Fatmira Hajdarin

TIRANE - Kërkesë-padia e ministrit të Jashtëm Lulzim Basha për shpalljen si të pavlefshme të dy akteve procedurale të Prokurorisë në dosjen "Durrës-Kukës" do të gjykohet nga gjyqtarja Fatmira Hajdari. Gjykata e Tiranës rrëzoi dje kërkesën e Prokurorisë për përjashtimin e gjyqtares Hajdari nga ky proces. Gjyqtari Altin Abdiu e ka cilësuar dje, si të pabazuar në ligj kërkesën e Prokurorisë dhe e ka hedhur poshtë atë. Kërkesa për përjashtimin e gjyqtares Hajdari erdhi pas një vendimi të marrë prej saj pak ditë më parë, ku rrëzoi kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për shpalljen e moskompetencës në gjykimin e padisë së ministrit të Jashtëm Basha. Argumenti i prokurorit në këtë rast ishte se në kohën për të cilën akuzohej, Basha ka pasur postin e ministrit të Transporteve dhe se kompetente për shqyrtimin e kërkesës ishte Gjykata e Lartë. Pas mospranimit të kësaj kërkese, prokurori kërkoi përjashtimin e gjyqtares Hajdari, duke e akuzuar atë për njëanshmëri në vendim.                                       ar.ba

Durrës-Kukës, Bregu: Nuk ka tender, Prokuroria manipulon

Pas dosjes së publikuar nga prokuroria për abuzimet e ministrit Basha, gjatë kohës që ka qenë te Transportet me rrugën Durrës-Kukës, qeveria shqiptare hedh poshtë këto pretendime të organit të akuzës. Duke iu referuar njërit prej provave të prokurorisë, që ka të bëjë me shkeljen e barazisë në tenderë për përzgjedhjen e konsulentit ndërkombëtar, zë-dhënësja e qeverisë Majlinda Bregu tha se ky është një manipulim i pastër i prokurorisë, pasi për këtë procedurë nuk është bërë tender, por me prokurim të drejtëpërdrejtë nga Këshilli i Ministrave. "Këshilli i Ministrave hedh poshtë pretendimet absurde se i ka marrë këto vendime në kushte të mos informimit të plotë apo të keqinformimit nga ministri Basha, si trillime të pavërteta dhe pa asnjë bazë faktike apo ligjore, por që synojnë të rikthejnë në Shqipëri kohërat e dënimeve kolektive", tha Bregu. Sipas saj "Këshilli i Ministrave, me vendimin për përzgjedhjen e konsulentit ndërkombëtar, mundësoi fillimin e bërjes realitet të projektit Rrëshen- Kalimash brenda një kohe shumë të shkurtër. Më 4 shkurt të vitit 2007, pas një pune paraprake disa mujore, ky projekt u inaugurua zyrtarisht me fillimin e punimeve në tunel. Pra, si rezultat i vendimeve të Këshillit të Ministrave u arrit që puna për segmentin Rrëshen-Kalimash të nisë brenda një kohe fare të shkurtër".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›