Papandreu: Fajtore për dhunën është vetëm qeveria
Lideri i partisë më të madhe opozitare në Greqi, George Papandreou, ka akuzuar qeverinë për dhunën që ka mbërthyer të gjithë vendin e tij. Në Greqi u shënua dita e gjashtë e protestave kundër dhunës së policisë, pas vrasjes së një adoleshenti të shtunën në mbrëmje. Protestuesit kanë ditë që përleshen me forcat e rendit, të organizuar edhe nga grupe majtiste, të cilët kërkojnë dorëheqjen e Kryeministrit Karamanlis dhe qeverisë së tij. Protestat kanë qenë të dhunshme dhe i kanë dhënë një goditje të fortë ekonomisë greke, e cila veç kësaj po përballet edhe me ndikimin e krizës financiare. Lideri i PASOK, Papandreou, tha në një intervistë për agjencinë franceze "FRANCE 24" se qeveria e kishte humbur besimin e njerëzve. Edhe pse partia e tij u godit nga skandalet e mashtrimeve në të kaluarën Papandreu premtoi "transparencë" nëse fiton zgjedhjet e ardhshme. Ai fajësoi tërësisht qeverinë e Kryeministrit Kostas Karamanlis si shkaktare të valës së dhunës që ka mbërthyer të gjithë Greqinë në gjashtë ditët e fundit. Lideri i partisë së krahut të majtë, PASOK shprehu "shumë shqetësim dhe mërzi" mbi trazirat që pasuan vdekjen e 15-vjeçarit Alexis Grigoropoulos, pasi u qëllua nga policia të shtunën në mbrëmje. "Ky shpërthim social ka shkaqe shumë më të thella", tha ai duke argumentuar se "ka shumë korrupsion në nivelet më të larta të qeverisë". Ai argumentoi se disa ministra, që veprojnë aktualisht në qeverinë Karamanlis duhet ta kishin dhënë dorëheqjen me kohë "për shkak të përgjegjësive të tyre, jo vetëm mbi vdekjen e këtij fëmije, por edhe për shumë çështje të tjera që kanë dalë si pasojë e korrupsionit dhe përdorimit të fondeve publike". Ai i bëri thirrje qeverisë të japë dorëheqjen dhe premtoi t'i japë Greqisë një "drejtim të ri", nëse partia e tij vjen në pushtet. I pyetur nëse ai do t'i jepte një përgjigje më të ashpër protestuesve, për shembull, duke kërkuar ndihmën e ushtrisë, ai e hodhi poshtë opsionin. "Kur unë isha i ri jetoja nën diktaturë. Kjo ishte një eksperiencë mbytëse për popullin grek. Ne duhet të forcojmë institucionet demokratike", tha ai. Papandreou tha se i mbështeste demonstratat në rrugë për sa kohë ato ishin "protesta pa dhunë, kundër dhunës, për një shoqëri më humane". I pyetur mbi akuzat që mbërthyen qeverinë e tij kur ishte në pushtet, Papandreou u përgjigj me kundër akuza për rivalët. "Njerëzit thonë se kanë një qeveri të korruptuar, jo raste korrupsioni. Ne do t'i japin Greqisë një fytyrë ndryshe, me transparencë", tha ai.
Dhuna e të rinjve, Evropa imiton Greqinë
Dhuna që ka mbërthyer Greqinë gjatë ditëve të fundit ka dhënë shenja përkrahjeje edhe në Evropë, ndërsa në disa qytete kanë nisur sulmet e të rinjve. Të rinj të zemëruar kanë thyer xhamat e vitrinave të dyqaneve, kanë sulmuar banka dhe kanë goditur policinë me shishe në protesta të vogla, por të dhunshme. Sipas AP, raste të tilla janë shënuar dje në Spanjë dhe Danimarkë, ndërsa disa makina janë goditur e shkatërruar jashtë Konsullatës greke në Francë. Protestues janë mbledhur edhe përpara Ambasadës greke në Romë të mërkurën dhe disa janë kthyer edhe në ngjarje të dhunshme, duke dëmtuar mjetet e policisë, përmbysur makina dhe duke u vënë flakën kazanëve të plehrave. Në Danimarkë, protestuesit goditën policinë me shishe dhe kthyen qendrën e Kopenhagenit të mërkurën në mbrëmje në një tubim të dhunshëm. 63 njerëz u arrestuan, por u liruan sërish dje. Edhe në Spanjë, të rinj të zemëruar kanë sulmuar banka, dyqane dhe stacione policie në demonstrata të ndryshme në Madrid dhe Barcelonë. Secila prej tyre numëronte rreth 200 njerëz. Protesta ka pasur edhe në Berlin, ku të rinj vendosën foton e djalit grek të vrarë të shoqëruar me fjalët "I vrarë nga shteti". Të tjera protesta janë shënuar në Frankfurt dhe Londër.