E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Qetësia në Greqi, edhe në interes të Shqipërisë”

 

Aristir Lumezi

Ish-ambasadori shqiptar në Greqi, Bashkim Zeneli, gjatë një analize që i bën trazirave në shtetin fqinj, shprehet se dhe vetë shqiptarët në Shqipëri dhe në Greqi janë të interesuar në qetësimin e situatës. Ai shpreh besim te politika greke e të gjitha krahëve, e cila, sipas tij, është e përgjegjshme për të kapërcyer këtë situatë për interesa madhore të vendit dhe larg dasive partiake. Zeneli shprehet se në gjithë këtë histori është pozitive mospërzierja e emigrantëve shqiptarë në trazirat e fundit duke treguar pjekuri dhe qytetari.
Zoti Zeneli, si njohës i mirë i zhvillimeve greke, edhe për shkak të përmbushjes së detyrës si ish-ambasador i Shqipërisë në Greqi, si i gjykoni trazirat e ditëve të fundit në qytetet kryesore të Greqisë?
Natyrisht ajo që po ndodh në Greqi me demonstrimet, me djegiet, me shkatërrimet, me luftën e rrugës nuk janë aspak të mira, jo vetëm për Greqinë si një vend aleat dhe strategjik i Shqipërisë, por dhe si vend anëtar i BE-së, i NATO-s dhe në këtë pikëpamje mendoj se kjo situatë nuk erdhi krejt rastësisht, në mënyrë spontane për një ditë të bukur dhe aq më tepër nga vdekja e një 15-vjeçari. Situata në Greqi mbart mjaft probleme të brendshme, të cilat shpërthyen zemërimin masiv.
Cilat janë këto probleme që ju evidentoni që ndikuan në krijimin e kësaj situate?
Natyrisht duke qenë një lëvizje deri diku edhe anarkike, një lëvizje siç e thashë pa kërkesa të qarta të demonstruesve, nuk ka një ballafaqim me qeverinë, një kërkesë konkrete për çështjet ekonomike, kulturore, që kanë lidhje me sistemin arsimor, shëndetësor etj., dhe është e vështirë të thuhet se çfarë kërkoi ky demonstrim, çfarë kërkoi kjo dhunë në rrugët e Athinës apo dhe në qytetet e tjera. Megjithatë ka një emërues të përbashkët, kjo është një pakënaqësi në rritje jo thjesht ndaj qeverisë së zotit Karamanlis, por dhe ndaj politikës greke në përgjithësi, duke përfshirë dhe forcat e tjera politike. Së pari, një zhgënjim ndaj atyre premtimeve të bëra vazhdimisht nga ana e politikës, së dyti, për mungesën e reformave në mjaft fusha. Është folur për reforma në fushën e pensioneve, reformën arsimore, në fushën e transportit duke përfshirë edhe atë ajror, ka probleme dhe skandale që kanë lidhje me anëtarë të kabinetit të zotit Karamanlis, raste korrupsioni që janë bërë të ndjeshme me disa shitblerje pronash të kishës greke dhe të gjitha këto kanë krijuar pakënaqësi në radhët e popullit grek. Nëse i shtojmë këtu dhe gjendjen e rëndë ekonomike, e cila vjen dhe si pasojë e krizës globale, të gjitha këto kanë sjellë këtë situatë, që uroj dhe dëshiroj për një vend fqinj të kapërcehet sa më parë.
Si paraqitet tabloja politike sot në Greqi dhe sa besim ka tek partitë politike?
Duhet pranuar një fakt, se Demokracia e Re fitoi mandatin e dytë një vit më parë, por me një diferencë shumë të vogël, vetëm me 2 vota më shumë, ndërsa aktualisht ka vetëm një votë më shumë në Parlament. Ndërkohë që ajo humbi mjaft deputetë krahasuar me zgjedhjet e mëparshme. E njëjta gjë duhet thënë edhe për PASOK-un, i cili humbi mjaft nga zgjedhjet e kaluara. Ajo që bën përshtypje me forcat politike në Greqi, është një rritje e Partisë Komuniste, e cila është anti-europianiste, anti-amerikane, ani-NATO, anti-BE, por pati rritje dhe nga krahu i djathtë, partia LAOS, por dhe një parti e majtë si Sinaspismos që qëndron midis PASOK-ut dhe Partisë Komuniste. Pra ky konfiguracion tregon dhe një lloj pakënaqësie ndaj dy partive tradicionale që kanë drejtuar Greqinë në dhjetëvjeçarët e fundit. Këto vota janë mësime për të dyja partitë e mëdha që duhen lexuar mirë, që unë mendoj se shpjegojnë këtë valë dhune në Greqi.
Në përpjekjet për të gjetur zgjidhjet për daljen nga kjo situatë, si gjykoni kërkesën e ministrit të Brendshëm grek, Pavlopulos, për t'u dorëhequr dhe refuzimin e dorëheqjes nga ana e Kryeministrit Karamanlis?
Ministri i Brendshëm, Pavlopulos, i paraqiti kërkesën për dorëheqje Kryeministrit Karamanlis dhe, për mendimin tim kjo ishte një përgjegjësi morale dhe etike që ai ndërmori me fillimin e këtyre ngjarjeve. Është e drejta e kryeministrit ta gjykojë këtë kërkesë për bashkëpunëtorin e tij më të afërt. Nuk mund të them se pranimi i dorëheqjes do të sillte qetësimin e situatës, pasi mundet që pranimi i dorëheqjes të bëhej shkak për të çuar në kërkesa të tjera të mëtejshme. Protestat ishin lëvizje pa një kërkesë konkrete, ku pakënaqësia nuk kishte një emër ndaj kujt drejtoheshin, ndaj qeverisjes, medoemos, por për zgjidhjen e kujt problemi. Edhe forcat e tjera politike parlamentare nuk kanë këmbëngulur në dorëheqjen e ministrit të Brendshëm dhe as atakuan qëndrimin e Kryeministrit Karamanlis.
Duket se sot protestat kanë qenë më të pakta, por ende nuk kemi një përfundim të kësaj vale trazirash të paprovuara më parë për Greqinë. Cilat mendoni se do të ishin zgjidhjet që do qetësonin situatën dhe futjen e vendit në një rrjedhë normale të saj?
Unë besoj se Greqia ka një klasë politike të përgjegjshme për të kapërcyer edhe këtë situatë, jo vetëm ato qeverisëse, por edhe ato opozitare, të cilat për interesa më të mëdha se ato partiake, pra për interesat e vendit, të stabilitetit dhe imazhit të vendit do të dinë të kapërdijnë mjaft divergjenca mes tyre. Unë mendoj se qetësimi i situatës në Greqi është dhe në interes të rajonit në përgjithësi dhe në interes të Shqipërisë dhe bashkëpunimit të gjithanshëm me Greqinë. Shqiptarët shpreh bindjen se nuk kënaqen kur shohin skena të tilla dhune dhe shkatërrimesh, pasi si vend anëtar dhe mbështetës të BE-së, shohin edhe ecurinë e emigrantëve shqiptarë në Greqi, që janë disa qindra mijëra, por dhe një klime të qëndrueshme dhe të stabilizuar.
Nga informacionet që ju keni, cili ka qenë qëndrimi i emigrantëve shqiptarë në këto trazira?
Unë mendoj se ka qenë një qëndrim korrekt, ashtu siç raportojnë edhe mediat greke dhe nuk ka pasur arsye që emigrantët të përziheshin në këto trazira dhe shkatërrime, në këto akte jo civile, siç ka qenë e drejta e tyre të protestojnë disa herë në mënyrë paqësore dhe civile për çështje që kanë të bëjnë me legalizimin e tyre, me qëndrimin e tyre në Greqi, të drejtat për arsimin etj. Ka qenë një dukuri mjaft pozitive, që në aktet e këtyre ditëve nuk kemi parë emra shqiptarë. Natyrisht mund të ketë pasur 10 apo 15 shqiptarë të përzier në këto akte, por nuk pati një shfryrje të shqiptarëve ndaj qeverisë greke, duke iu bashkuar këtyre turmave.
Qeveria greke pak ditë më parë shpalli një plan masash për të përballuar situatën, për të dëmshpërblyer apo ndihmuar me kredi të lehta të dëmtuarit nga këto ngjarje. Sa mendoni se kjo mund të ndihmojë në bashkëpunimin ekonomik me Shqipërinë?
Natyrisht masat për të rivendosur rendin ekonomik, janë një masë më se normale për çdo qeveri demokratike, se në ç'masë ato do të plotësohen, këto janë çështje që i takojnë t'i zgjidhë qeveria greke. Përsa i takon marrëdhënieve të saj me Shqipërinë, unë uroj që këto zhvillime të kanalizohen drejt, uroj të vazhdojë procesi normal politik institucional në Greqi, sepse drejtpërdrejt apo indirekt këto ngjarje do të kenë ndikime në këto marrëdhënie. Kanë, sepse edhe nëse flasim për një projekt të shpejtë me Shqipërinë, dhënie kredie apo realizimin e një projekti, të marr p.sh. ndërtimin e rrugës Konispol-Sarandë, këto ngjarje mund të çojnë në shtyrjen e realizmit të tij, për shkak të problemeve konkrete brenda Greqisë. Por ndikimi është edhe më i madh po të llogarisim praninë e madhe të shqiptarëve në Greqi, që mund të kërcënohen me vendin e tyre të punës, apo dhe lëvizjen e lirë të shqiptarëve përtej kufijve. Pra e thënë ndryshe, Greqia tani do të merret me veten e saj për të qetësuar situatën, por dhe për ta kapërcyer atë. Rrjedhimisht vëmendja ndaj fqinjëve apo investimeve tek vendet fqinje bën të largohet disi.
Nëse situata politike në Greqi, nisur dhe nga presioni i qytetarëve mund të çonte në kalimin e vendit në zgjedhje të parakohshme, sa këto zgjedhje do t'i jepnin një zgjidhje kësaj situate që ju e analizuat në detaje?
Duke folur edhe më lart që këto protesta ishin në mënyrë kaotike dhe dhunë e rrugës, zgjedhjet e parakohshme mund të qetësonin situatën, mund të bindnin zgjedhësit se kjo qeveri ka probleme dhe nuk duhet të qeverisë më tej etj., dhe në këtë situatë të vinte në pushtet PASOK-u, i cili në sondazhet e muajve dhe javëve të fundit ka qenë 2-3 pikë para Demokracisë së Re, dhe për herë të parë në tre muajt e fundit Papandreu ka qenë më lart se Karamanlis. Por përgjithësisht, problemet që janë dhe reformat e munguara do të vinin në vështirësi edhe PASOK-un nëse vinte në pushtet për të rikthyer besimin e humbur të popullatës tek qeverisja e vet, që merr përgjegjësitë, mban premtimet etj. Por mendoj se edhe PASOK-u do ta ketë të vështirë të qeverisë nëse nuk ndërmerr reforma konkrete, që pas njëfarë kohe të japë rezultate konkrete për të rikthyer besimin. Edhe PASOK-u ka probleme brenda vetes, probleme që janë shfaqur edhe në kongresin e tyre të fundit.
Ndërkohë mbetet ende pezull edhe marrëveshja e MSA-së e paratifikuar nga Parlamenti grek. Mendoni se kjo situatë do ta shtynte edhe më tej këtë ratifikim, ndoshta edhe i nxitur nga disa kërkesa në organizatës OMONIA?
Unë mendoj se të paktën nga deklarimet që janë dhënë edhe nga zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme dhe nga vetë zonja Bakojani, tashmë procesi i ratifikimit të MSA-së është në parlamentin grek dhe do të kalojë shumë shpejt. Unë mendoj se ky proces do të përfundojë shumë shpejt, sepse është një proces i natyrshëm, ashtu siç kanë bërë dhe vendet e tjera të BE-së. Siç jemi ne të interesuar që të ratifikohet kjo marrëveshje, ashtu dhe Greqia është e interesuar të ketë si fqinj të saj një vend që është në sallonin e BE-së për të hyrë brenda apo një vend që pret vitin e ardhshëm të jetë anëtarë e NATO-s. Është tjetër bashkëpunim kur dy vende janë anëtare të të njëjtës familje, të të njëjtit komunitet. Nuk besoj se përbën problem ratifikimi i MSA-së nga Greqia. A mund të ketë shtyrje për shkak të situatës së re të krijuar? Kjo do të varet nga tejkalimi sa më shpejt i problemeve aktuale në Greqi pas trazirave, por nuk besoj se kjo do të përbëjë një problem thelbësor. Për mua ky është një proces formal. Nuk besoj se qeveria greke dhe forcat politike po ashtu dhe institucionet greke do të ndikoheshin nga një letër, apo një zë i mbytur, qofshin këto edhe nga organizata OMONIA, apo dhe nga burime të tjera, sepse thashë është një interes më madhor anëtarësimi i Shqipërisë në familjen evropiane. Nuk i konsideroj këto zëra, jo vetëm të besueshëm, por dhe të pranueshëm nga qeveria greke.
Duke parë kërkesën e organizatës OMONIA, si e shikoni trajtimin apo integrimin e minoritetit grek në Shqipëri, sa ky komunitet është më pak i integruar se pjesa tjetër e popullsisë?
Unë mendoj se Shqipëria në këto vite demokracie, cilado forcë politike që ka qenë në pushtet, e ka konsideruar minoritetin grek jo si urë ndërlidhëse me shtetin grek, por është përpjekur të plotësojë vazhdimisht kërkesat dhe standardet e këtij minoriteti dhe mendoj se këtë detyrë politika zyrtare shqiptare e ka plotësuar më së miri. A mund të ketë mangësi në këtë përpjekje? Edhe mund të ketë, por ky është një proces në vazhdimësi, që ecën paralel me integrimin e të gjithë shqiptarëve në Shqipëri, por nuk mendoj se përbën problem çështja e minoritetit grek për të thënë që të mos ratifikohet MSA-ja, sepse Shqipëria qenka larg standardeve. Ky është një absurd, nuk qëndron dhe nuk besoj se dhe vetë minoritarët do ta pranonin një pretendim të tillë. Minoriteti do të njohë ato të drejta demokratike që gëzon çdo shqiptar në Shqipëri, pa asnjë paragjykim dhe rezervë. Është fakt që ne si shqiptarë nuk njohim racizmin dhe nacionalizimin etj. Nuk besoj se ka thënë njeri të shkojmë në Evropë pa minoritetet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›