Basha përshëndet miratimin e Rezolutës, ripërsërit liberalizimin e vizave
Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, ka vlerësuar miratimin në unanimitet të rezolutës së Kosovës nga OKI, si një provë shumë domethënëse se Kosova e pavarur është një realitet i pakthyeshëm dhe njohja ndërkombëtare e saj një proces i pandërprerë. Nëpërmjet një konference për shtyp, ministri Basha duke u ndaluar në çdo paragraf të raportit të Komisionit Europian, duke mohuar kritikat shqetësuese e duke i lexuar ato vetëm si merita të qeverisë.
Blloku i parë, që lidhet me kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike, cilëson se Shqipëria ka shënuar progres në lidhje me procesin tërësor të ngritjes së infrastrukturës dhe aplikimit, prodhimit dhe shpërndarjes së dokumenteve, të cilët janë të sigurisë së lartë dhe në përputhje me standardet evropiane, është shprehur ministri Basha. Sipas tij, strategjia e qeverisë shqiptare për parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit dhe qeverisjes transparente cilësohet si një dokument ambicioz, dhe mbi bazën e tij janë bërë përpjekje serioze dhe te suksesshme për uljen e korrupsionit. Ndër të tjera ministri Basha ka ripërsëritur faktin se Shqipëria është në rrugë të mbarë në procesin e liberalizimit të vizave dhe, brenda 12 muajve të parë të mandatit të dytë, qytetarët shqiptarë, me pasaporta biometrike, do të udhëtojnë si evropianë, të barabartë mes evropianëve. Gjatë një konference për shtyp, ministri Basha përshëndeti takimin e mbajtur në Damask ku u miratua me unanimitet të plotë rezoluta për Kosovën, e iniciuar nga Shqipëria. Duke e konsideruar këtë si një ngjarje me rëndësi të jashtëzakonshme, ministri Basha u shpreh se miratimi i kësaj rezolute përbën një sukses të përmasave të mëdha për njohjen e mëtejshme të Kosovës. Për herë të parë Organizata e Konferencës Islamike i referohet në dokumentet e saj zyrtare deklaratës së pavarësisë, duke evidentuar qartë se shpallja e pavarësisë së Kosovës më datën 17 shkurt 2008, përbën një parakusht të rëndësishëm për progresin e ndërtimit të institucioneve demokratike dhe ka krijuar terrenin për kuadrin e nevojshëm ligjor dhe institucional bashkëkohor, vlerësoi Basha.