E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uithers: Gratë të marrin vendin që meritojnë në zgjedhje

Ambasadori i SHBA, në Tiranë, John Uithers ka vlerësuar rolin e femrës shqiptare në politikë. Sipas tij, asnjë zgjidhje e qëndrueshme si politike ashtu edhe sociale nuk është e mundshme pa përfshirjen e drejtpërdrejtë të gruas në vendimmarrje. Gjatë fjalës së tij në aktivitetin me temë Liderët në politikë, ambasadori amerikan ka theksuar se gruaja është partnere e barabartë në politikë, në vendimmarrje dhe në çdo aspekt tjetër të jetës. Në këtë drejtim, ambasadori Uithers ka shprehur domosdoshmërinë që pjesëmarrja e gruas në vendimmarrje të mos trajtohet si simbolikë, por gruaja të trajtohet si e barabartë bazuar në punën dhe meritën e saj. Gratë duhet të kenë të njëjtat mundësi si dhe burrat për të ngjitur shkallët e karrierës politike. Ne duhet të zhvillojmë kapacitete dhe mundësi që gruaja të jetë e barabartë, vlerësoi ambasadori Uithers, duke përshëndetur nismën e ndërmarrë nga IDN. Duke u ndalur te listat e kandidatëve për deputet për zgjedhjet parlamentare të 28 Qershorit, ambasadori Uithers u shpreh se qëllimi nuk është arritja e kuotave apo statistikave të caktuara në këto lista, por fakti që gratë të marrin vendin që meritojnë. Sipas tij edhe në demokraci të vjetra si ajo e SHBA-së, gratë vazhdojnë të jenë të përfaqësuara keq në institucionet e vendit. Në senatin e SHBA-së që përbëhet nga 100 senatorë, vetëm 17 prej tyre janë gra dhe kjo në një kohë kur gratë përbëjnë mbi 50 për qind të popullsisë së SHBA-së, përmendi ai. Instituti Demokratik Amerikan përmbylli programin Zhvillimi i liderëve të rinj në politikë- Rritja e pjesëmarrjes së gruas, duke shpërndarë certifikata për rreth 39 femra pjesëmarrëse në këtë aktivitet, të cilat vijnë nga fusha e politikës, shoqërisë civile dhe medias. Aktualisht rreth 20 prej zonjave që kanë ndjekur programin e Institutit Demokratik Amerikan janë përfshirë në listat e kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Politika shqiptare karakterizohet nga një nivel i ulët i pjesëmarrjes së gruas në politikë, një situatë që rezulton me një mungesë përfaqësimi të gruas në institucione të ndryshme. Konkretisht vetëm 10 nga 140 deputetët e Kuvendit të Shqipërisë janë gra. Në këtë drejtim, Instituti Demokratik Amerikan po punon me gra aktive politikane, anëtare të partive të ndryshme për të rritur nivelin e pjesëmarrjes së gruas në politikë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›