E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Basha", pikëpyetje mbi drejtësinë

Është interpretuar në mënyra të ndryshme vendimi më i fundit i Gjykatës së Lartë, e cila çliroi ministrin Basha nga procesi gjyqësor. Përveç opozitës kundër një vendimi të tillë është shprehur dje edhe deputeti Nikoll Lesi, i cili ka theksuar se janë shkelur të gjitha afatet hetimore. Gjatë një prononcimi për "Top Channel", deputeti Lesi është shprehur se Gjykata e Lartë ka aplikuar dy standarde në lidhje me të njëjtin precedent. Ai ka sjellë në kujtesë rastin e tij, të ndodhur në 2004 për të cilin gjykata ka dhënë ndjekje penale. "Kjo Gjykatë e Lartë ka dy standarde, pasi më parë ka bërë ndjekjen time penale për një akuzë qesharake dhe po dje dha një version tjetër. PD duhet ta dënojë Gjykatën e Lartë dhe jo ta përshëndesë", është shprehur Lesi. Më tej, deputeti Lesi nuk i ka kursyer sulmet ndaj anëtarëve të Gjykatës së Lartë duke theksuar se aktualisht trupa gjykuese e kësaj gjykate është mbi 50% ajo që ka qenë kur kjo gjykatë i kërkoi Kuvendit heqjen e imunitetit të tij në vitin 2004.

"Trupa gjykuese në shumicën e saj ka persona që kanë qëndruar edhe në kohën e pushtetit të Nanos edhe tani", ka theksuar Lesi. Gjatë prononcimit të djeshëm deputeti Lesi ka thyer heshtjen e disa muajve duke dhënë disa detaje të forta në lidhje me lëvizjet politike që ai do të bëjë para zgjedhjeve të 28 qershorit. Para katër viteve, deputeti i pavarur i cili më pas mori drejtimin e PDK-së u deklarua në koalicion me të djathtën, pjesë e të cilës është edhe sot. Por kur kanë mbetur vetëm dy muaj nga data e zgjedhjeve, deputeti Lesi nuk publikon hapur ashtu si edhe aleatet e tjerë të PD-së se me kë do të jetë në zgjedhje me 28 qershor, me të djathtët apo të majtët. Lesi thekson se deri me 13 maj kur është edhe afati i fundit për përcaktimin e koalicioneve shqiptarët do ta marrin vesh përfundimisht se me cilën parti do të bëjë ai koalicion për këto zgjedhje. Të vetmin detaj që ai jep deri më tani është se në zgjedhjet e 28 qershorit Lesi do të bëjë koalicion me një nga partitë e mëdha, duke u rreshtuar me progresistët. "Unë do të jem përkrah një partie politike të madhe pas 13 majit. Ju them me bindje se unë do të jem me progresistët", është shprehur ai. Deputeti Lesi mund të cilësohet pa frikë si aleati më i pabindur i mazhorancës. Vazhdimisht në sallën e Kuvendit, por edhe në konferencat për shtyp Lesi nuk i ka kursyer kritikat për Kryeministrin Berisha, por edhe akuzat për ministrat e kabinetit të tij. Akuza të cilat shpeshherë janë komentuar gjatë në shtyp. Aktualisht, Nikoll Lesi është tërhequr nga diskutimet e vrullshme politike duke pritur momentin e duhur për të reaguar në lidhje më strategjinë e tij politike. Mbeten për të pritur këto pak javë që kanë mbetur deri me 13 maj për të marrë vesh përfundimisht në krah të kujt do të rreshtohet në këto zgjedhje Nikoll Lesi, lëvizjet e të cilit asnjëherë nuk bëhen pa u studiuar mirë.

Rama: Flamuri, jo alibi për të fshehur korrupsionin

Kreu i PS reagon nga Kukësi pas vendimit të Gjykatës së Lartë

Flamuri kombëtar nuk duhet të përdoret për të fshehur korrupsionin e rrugës Durrës-Kukës. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, reagoi dje ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë për të pushuar çështjen e hetimit të ish-ministrit të Transporteve, Lulzim Basha. Rama ka zgjedhur një takim me vullnetarët e PS-së, pak kilometra ku po ndërtohet rruga për të premtuar se rrugën Durrës-Kukës do ta përfundojnë socialistët pas zgjedhjeve të qershorit. Pa e përmendur ministrin Basha, Rama preferoi t‘i përgjigjej deklaratës së tij se me vendimin e Gjykatës së Lartë dështoi plani antikombëtar. Ndaj, kreu i PS-së, kërkoi që të mos përdoret alibia e çështjes kombëtare për të fshehur aferën korruptive në ndërtimin e kësaj rruge.

"Flamuri kombëtar nuk duhet përdorur si thes që fsheh paratë e rrugës. Rruga Durrës-Kukës është rruga e kombit dhe jo e politikës", tha Rama. Më tej, kreu socialist u shpreh se PS nuk do të pajtohet kurrë me abuzimet. "Kurrë nuk do të jemi kundër rrugës, por kundër abuzimit", theksoi ai, ndërsa garantoi banorët se do të jetë PS që me mandatin e fituar pas zgjedhjeve të 28 qershorit do të përfundojë rrugën e shumëdëshiruar për shqiptarët.

Ndër të tjera, duke vlerësuar rëndësinë e kësaj rruge kryesocialisti tha se gjithë populli shqiptar e meritonte autostradën, por nuk meritonte vjedhjen në emër të saj. "Ju dhe jo vetëm ju e meritoni këtë rrugë që na lidh me pjesën tjetër të vendit, por nuk i meritoni që në emër të kësaj rruge strategjike të abuzohet me taksat tuaja, me taksat e paguara nga demokratët dhe nga socialistët", tha Rama. Sipas tij, nëse nuk do të kishte korrupsion do të ishin bërë, gjithnjë me fondet e autostradës, edhe akse të tjera si ajo Kukës-Shishtavec, Kukës-B.Curri etj.

Në dy vitet e fundit, Partia Socialiste ka denoncuar shpeshherë me shifra dhe duke iu referuar edhe raporteve të ndryshme se rruga Durrës-Kukës është përdorur nga zyrtarë të lartë të shtetit për abuzime dhe afera korruptive. Gjatë fjalës me banorë të Kukësit, Rama i kushtoi vëmendje krizës ekonomike. "Është koha për mos mohuar krizën ekonomike, tha ai duke iu drejtuar me këto fjalë Kryeministrit Berisha, mos mendo vetëm për familjen tënde".

Gjithashtu, Rama u shpreh kundër klasës së deritanishme politike që ka drejtuar vendin. "Nuk mund t‘u besohet më personazheve të deritanishme të politikës shqiptare të cilët, siç nënvizoi Rama, për 18 vjet me radhë na kanë tërhequr pas sa majtas e sa djathtas duke i lodhur njerëzit e thjeshtë e të ndershëm të këtij vendi, me akuza, shpifje e fyerjet e pafund për njëri-tjetrin". Ndërsa një politike e re, sipas Ramës, do të bashkonte energjitë e njerëzve të këtij vendi larg flamujve partiakë, duke i dhënë këtij bashkimi të ri besimin për të marrë në dorë fatet e vendit në zgjedhjet e qershorit. Pas takimit në Kukës, lideri i PS, Edi Rama, udhëtoi për në Has.

Malaj: Durrës-Kukës, të thellohen hetimet

Deputeti socialist, Arben Malaj, reagoi dje pas vendimit të Gjykatës së Lartë për të çliruar nga akuzat ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha, në lidhje me Durrës-Kukës. Malaj tha se PS e respekton vendimin e gjykatës, por ai kërkoi vazhdimin e hetimeve në lidhje me rrugën. "PS respekton vendimin e Gjykatës së Lartë, por rruga "Durrës-Kukës mbetet rast korruptiv i qeverisë dhe se procesi duhej thelluar", tha Malaj. Malaj vërejti se nuk ka asnjë vend të botës, por edhe në rajon që të përdorë 10% të GDP për të investuar në 100 km rrugë. "Çdo shqetësim i ynë ka qenë për mundësitë korruptive të mëdha që ajo pati për shkak të mungesës së garës dhe për shkak të kostove të larta. Ju garantoj se nuk ka asnjë vend jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë që të përdorë 10% të GDP-së për të investuar në 100 km rrugë", tha Malaj. Njëkohësisht, në emër të PS-së, ish-ministri i Financave shprehu shqetësimin për pasojat e krizës globale mbi ekonominë shqiptare duke kërkuar sërish që qeveria duhet të marrë masa të menjëhershme. "Ne nuk jemi kundër rritjes së pagave, pensioneve dhe investimeve, por jemi qartësisht kundër çdo rritjeje abuzive thjesht elektorale, që nesër do t‘i bëjë pensionet, pagat, asistencën për të paaftët dhe të papunët të vlejnë më pak", shtoi Arben Malaj. Ai vërejti se mbi 10000 punonjës kanë humbur vendet e punës, 500 punonjës të ndërtimit janë në risk, 600 punonjës të "Albpetrol" për dy muaj s‘marrin rrogat, mijëra të tjerë janë përballë uljes së pagave apo humbjes së vendit të punës.

Çështja "Basha", drejtësia në diskutim

Juristët: Gjykata e Lartë bëri mëkat kapital për "Durrës-Kukës"

Vendimi më i fundit i Kolegjit Penal gjatë ditës së premte lidhur me pushimin e çështjes ndaj ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, pritet të bëhet precedencë për një sërë gjyqesh, madje edhe kur bëhet fjalë për organizata të mëdha mafioze. Më e prekura pritet të jetë Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila në jo pak raste i dërgon aktet procedurale me postë, për shkak të shmangies së të pandehurve nga njoftimi i akuzës. Gazeta "Shqip" dje ka komunikuar me dy juristë të njohur si Arben Prifti dhe Gent Ibrahimi, të cilët përgjithësisht ndajnë të njëjtin mendim: është precedent me pasoja….. Duke qenë se Gjykata e Lartë u shpreh një ditë më parë se ish-ministrit të Transporteve, Lulzim Basha, i ishte shkelur e drejta kushtetuese për t‘u njohur me aktakuzën që prokurorët ia dërguan me postë, e njëjta gjë do të pretendohet edhe nga shumë të pandehur të tjerë vrasës apo përdhunues. Kështu avokatët e tyre do të aplikojnë të njëjtën mbrojtje për klientët, të cilët kanë marrë me postë njohjen për akuzat e ngritura ndaj tyre. Pikërisht këtë precedent ata mund ta përdorin fare lehtësisht për të shpallur të pavlefshme akuzat e prokurorisë. Por një tjetër problem i shkaktuar për prokurorët është çështja e zgjatjes së afateve hetimore. Që sot sa herë që prokurorët do të kërkojnë zgjatje të afateve të hetimit, çdo avokat duke iu referuar vendimit të pardjeshëm të Gjykatës së Lartë mund të ankohet pranë gjykatës për shkelje afatesh.

Gent Ibrahimi

Gjykata e Lartë, mëkat kapital për "Durrës-Kukës"

Dje, Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë, përmes vendimit të saj në çështjen e rrugës Durrës - Kukës, bëri mëkatin më kapital për një institucion të drejtësisë, atë që rëndom quhet standard i dyfishtë. Hetimi i akuzave penale është një instrument i një rëndësie jetike për mirëfunksionimin e shoqërive demokratike. Në kontekstin e hetimit penal konkurrojnë dy interesa të rëndësishme siç janë e drejta e individëve për të përfituar nga prezumimi i pafajësisë dhe të gjitha garancitë e tjera procedurale dhe, nga ana tjetër, interesi i shoqërisë që asnjë krim të mos mbetet i pandëshkuar. Në përpjekje për të realizuar këtë balancë delikate është ndërtuar sistemi i drejtësisë penale dhe një doktrinë e ngjeshur me episode të shumta. Shterimi i veprimeve procedurale hetimore brenda një afati të arsyeshëm është padyshim një aspekt i rëndësishëm i të drejtave të individit, sepse askush nuk mund të jetojë pafundësisht nën kërcënimin e procedimit penal. Nga ana tjetër, prokurorisë i duhet lënë një afat i arsyeshëm për të hetuar krimet të cilat (sidomos ato ekonomike dhe financiare) mund të jenë shumë komplekse. Është e qartë se ligji ynë procedural penal ka një rregullim të pamjaftueshëm në këtë pikë. Pra, nuk është plotësisht e qartë se cilat veprime procedurale duhet të kryhen medoemos përpara përfundimit të afatit të hetimit dhe cilat veprime mund të kryhen në kapërcim të këtij afati. Ky fakt nuk duhet interpretuar domosdoshmërisht si mangësi e ligjit. Çdo ligj ka kufijtë e tij. Utopia për të rregulluar gjithçka me ligj ka vdekur që me revolucionin borgjez francez. Pikërisht për këtë arsye i kemi gjykatat dhe gjyqtarët (sidomos Gjykata e Lartë dhe ajo Kushtetuese). Eshtë detyrë e tyre të interpretojnë ligjin në vazhdimësi, duke i dhënë përgjigje pikëpyetjeve që ngre ligji. Kjo është jurisprudenca, e cila mund të konsiderohet si trupi që vesh skeletin e ligjit. Nga ana tjetër, në qoftë se ka ndonjë mëkat të cilit duhet t‘i ruhet me çdo kusht jurisprudenca, ky është standardi i dyfishtë. Me fjalë të tjera raste të njëjta meritojnë trajtim të njëjtë nga gjykata. A veproi kështu Gjykata e Lartë në rastin e ministrit Basha teksa vendosi që veprimet hetimore të njoftimit të marrjes si i pandehur dhe dërgimit të çështjes për gjykim të kryera në kapërcim të afatit hetimor të konsiderohen të pavlefshme? Pa vënë në dyshim të drejtën e gjykatës për t‘i dhënë çështjes pikërisht këtë interpretim, vështirë se mund t‘i kursejë asaj gjykimin si një gjykatë inkoherence, pasi të paktën në 3 raste të tjera (rasti Vokshi, Dashi datë 16 korrik 2003, rasti Hila datë 13 korrik 2005 dhe rasti Allamani datë 20 dhjetor 2006)) Gjykata ka ecur në një drejtim tjetër. Natyrisht që precedentët që vendos gjykata nuk janë një këmishë force për të. Pra vetë gjykata mund të ndryshojë qëndrim në lidhje me një çështje, veçse çdo kthesë duhet të justifikohet mirë, midis të tjerash, duke bërë edhe dallimin me precedentët e mëparshëm.

Së fundi, nga këndvështrimi i ministrit Basha, i cili duket në pamje të parë si përfituesi kryesor i kësaj kthese të ndërmarrë nga Gjykata e Lartë, do të thosha se është pa dyshim në interesin e tij që çështja të gjykohet deri në fund. Zoti Basha është një njeri politik dhe si i tillë nuk mund t‘i lejojë vetes të jetojë me dyshimin e një vepre penale të patrajtuar gjyqësisht.

Precedentët

Vendimi 1

Vendimi i parë daton më 16 korrik 2003 dhe mban numrin 430. Çështja kryesohej nga Kristaq Ngjela, ndërsa si anëtar ishte gjyqtari Spiro Spiro, aktualisht kryetar i dosjes "Durrës-Kukës". Të gjykuarit në këtë rast ishin Riza Vokshi, Eqerem Dashi dhe Sefer Vokshi. Një nga të pandehurit në rekursin e tij kishte kërkuar prishjen e një vendimi, por Kolegji Penal çmoi si të pabazuara në ligj pretendimet e ngritura në rekursin e të gjykuarit Sefer Vokshi për pavlefshmëri të vendimit të njoftimit të akuzës, vendimit për përfundimin e hetimeve dhe njohjen e të pandehurit me materialet e çështjes.

Vendimi 2

Rasti i dytë për prokurorinë që e ka depozituar në Gjykatën e Lartë është vendimi i datës 13 korrik 2005. I akuzuar ka qenë Danush Hila. Ndërsa në trupin gjykues përsëri ka qenë anëtar Spiro Spiro. Mbrojtja e të pandehurit deklaronte se janë shkelur dispozitat procedurale që lidhen me afatin e hetimeve. Pasi dëgjoi pretendimet e palëve, trupi gjykues vendosi që nuk përbën shkak ligjor për cenimin e vendimeve gjyqësore nga ky kolegj pretendimi i mbrojtjes se organi i procedimit e ka mbajtur çështjen në hetim për 6 muaj pa zgjatje afati, ndërkohë që afati ligjor sipas nenit 323/1 të K.Pr.Penale është tre muaj.

Vendimi 3

Vendimi daton më 20 dhjetor 2006 dhe mban numrin 778. I pandehur në këtë rast ka qenë Eduart Allamani, i cili akuzohej për shpërdorim detyre. Prokuroria deklaroi se në këtë proces Gjykata e Lartë ka shqyrtuar kërkesën e prokurorisë, megjithëse çështja kishte parregullsi procedurale, duke i hapur kështu rrugën shqyrtimit gjyqësor. Vendimet e mësipërme konsiderohen nga prokuroria si "detyrim" për gjykatën që të hapë shqyrtimin gjyqësor të abuzimeve gjatë ndërtimit të segmentit rrugor Rrëshen-Kalimash, ku të pandehur janë ish-ministri i Transporteve, Lulzim Basha dhe vartësi i tij, Andi Toma.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›