Meta: Qeveria, përgjegjëse për situatën në bujqësi
Kryetari i LSI, Ilir Meta, deklaroi dje gjatë një takimi në Fushë-Krujë se është koha që shqiptarët të punësohen, ndërsa bujqësia duhet të shpëtohet nga gjendja ku e çoi qeveria aktuale. Gjatë takimit me simpatizantë e mbështetës të LSI-së, Meta prezantoi kandidatin e kësaj partie që është pjesë e qarkut të Durrësit, Agim Xheka. "Ne jemi një alternativë e qartë, një alternativë e majtë, një alternativë progresiste, e cila do të garantojë punësim për ju dhe për të gjithë shqiptarët që duan të jetojnë me punë të ndershme", tha Meta. Ai garantoi se qeveria e ardhshme do të ketë një rol shumë më të madh për të mbështetur daljen e bujqësisë nga kriza, krijimin e asaj industrie agro-përpunuese që do të jetë një treg i sigurt për të gjitha prodhimet bujqësore në vend. "Sepse është një skandal i vërtetë, vijoi Meta, që në gjysmën e popullsisë e kemi në zona rurale, dhe nuk ushqejmë dot veten tonë". Kreu i LSI deklaroi se Shqipëria eksporton 1 euro prodhime bujqësore dhe ushqimore dhe importojmë 10 euro. "Kjo do të thotë se ekonomia jonë bëhet gjithnjë më e varur nga jashtë gjithnjë e më e dobët", përfundoi Meta.