E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha pjesë e Ministerialit të ministrave të NATO

Ditën e sotme, Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Z. Lulzim Basha, do të marrë pjesë në Ministerialin e Ministrave të Punëve të Jashtme të NATO, e cila do të mbahet në Bruksel më datat 4-5 mars 2009. Sipas burimeve zyrtare të kësaj ministrie, mësohet se tema kryesore e këtij Ministeriali është përgatitja për Samitin e NATO-s të 3-4 prillit në Strasburg-Kehl, ku pritet që Shqipëria të marrë pjesë si anëtare me të drejta të plota e Aleancës së Atlantikut të Veriut. Gjatë Ministerialit, Ministrat e Punëve të Jashtme të 26 vendeve anëtare të Aleancës, së bashku me Ministrat e Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe Kroacisë, do të diskutojnë një numër dokumentash të rëndësishme për të ardhmen e NATO-s të cilat do të paraqiten në Samitin e Strasburg-Kehl për tu adaptuar nga Kryetarët e Shteteve/Qeverive të vendeve anëtare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut. Në dt. 4 mars, Ministri Basha do të marrë pjesë në Darkën Transatlantike, të organizuar nga Zv. Kryeministri dhe Ministër i Punëve të Jashtme të Belgjikës, Z. Karel De Gucht. Në këtë takim, ku do të marrin pjesë, përveç Ministrave të Punëve të Jashtme të NATO-s, edhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme, Komisionerja e BE-së për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, do të diskutohet rreth çështjeve të rëndësishme për komunitetin transatlantik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›