MB: Deklaratat e opozitës deformojnë realitetin e shtetit ligjor
Ministria e Brendshme ka hedhur poshtë deklaratat e Partisë Socialiste për rritje të situatës kriminale, të cilat sipas kësaj të fundit deformojnë realitetin e funksionimit të shtetit ligjor në Shqipëri.Qytetarët shqiptarë, sot më shumë se asnjëherë tjetër, kanë në krah shtetin e së drejtës dhe funksionimin e ligjit. Instrumentat e sigurisë publike dhe funksionimi i tyre në luftën kundër krimit përbëjnë një nga arritjet më madhore të qeverisë shqiptare.
Institucionet më prestigjioze ndërkombëtare e klasifikojnë sot Shqipërinë si një vend të sigurt dhe me rezultate të larta në luftën kundër krimit të organizuar, u shpreh Ministria e Brendshme. Ministria i është referuar Raportit të Departamentit të Shtetit, i paraqitur në Kongresin Amerikan, ku sipas saj deklaron se qeveria shqiptare ka bërë një progres evident në përpjekjet e saj për të luftuar trafikun e qenieve njerëzore dhe se ajo ka dhënë dënime të ashpra e të drejta ndaj organizatorëve të këtij trafiku. Më pas, Raporti më i fundit i Zyrës së Kombeve të Bashkuara për luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve, thekson ministria se e klasifikon Shqipërinë si një vend jashtë linjës kryesore të tranzitit të drogës. Sipas kësaj ministrie, në këtë drejtim Policia e Shtetit Shqiptar gjatë vitit të kaluar ka organizuar mbi 20 operacione të përbashkëta me partnerët ndërkombëtarë kundër trafikut të drogës. Ajo deklaroi se Raporti i Departamentit të Shtetit mbi të drejtat dhe liritë e njeriut evidenton faktin se gjatë vitit të kaluar në Shqipëri ka patur vetëm 85 vrasje, çka përbën minimumin historik të këtyre ngjarjeve në 18 vitet e fundit, e po ashtu evidenton faktin se Policia e Shtetit rihapi dhe zbuloi 81 vrasje të vjetra, të ndodhura në vitet e shkuara. Ky raport, shprehet ministria deklaron se kjo e fundit startoi një sistem të ri rekrutimi në Policinë e Shtetit me procedura të standardizuara. Sot Shqipëria ka një nivel kriminaliteti më të ulët se mesatarja e vendeve të Bashkimit Europian. Të gjitha figurat e krimit sot në Shqipëri rezultojnë më të ulëta se një vit më parë dhe zbulueshmëria e tyre është rritur në nivelin 80%. Kërcënimet e vazhdueshme të selisë së Partisë Socialiste ndaj strukturave të Policisë së Shtetit, të cilat u rikthyen qytetarëve shqiptarë ligjin dhe rendin, sigurinë dhe qetësinë, tregojnë se nostalgjia e Partisë Socialiste për Aldo Baren dhe Nehat Kullën mbetet ende e fortë, thekson ministria në deklaratën e saj. Sipas saj, Ministria e Brendshme siguron të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit se vullneti politik i kësaj qeverie, që bëri të mundur dërgimin para drejtësisë të të gjithë anëtarëve të grupeve kriminale dhe mos humbjen e qoftë edhe një jete të vetme të punonjësve të policisë, do të vazhdojë të jetë i pandryshueshëm