E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dade: Kërkesa e aplikimit në sirtarët e BE, nëse aplikohet tani

Opozita shqiptare ngre zërin e saj duke qartësuar idenë e moaplikimit për kandidat të vendit gjatë presidencës çeke. Sipas opozitës, nëse arrihet ky aplikim, atëherë rrezikohet që kërkesa të mbetet në sirtarët e Brukselit. Deklarata vjen nga ish ministrja e jashtme Arta Dade dhe njëkohësisht sekretare për marrëdhëniet me jashtë në Partinë Socialiste, e cila vlerëson se sinjalet e bashkimit Europian të çojnë pikërisht në këtë konkluzion. "Askush nuk ka ndërmend që në një periudhë kaq të shkurtër ta konsiderojë aplikimin e Shqipërisë, kështu që kërkesa për aplikim mund të mbetet në sirtarët e Komisionit Europian deri në një moment që Bashkimi Europian të mendojë që mund të jetë moment i përshtatshëm për ta shqyrtuar këtë kërkesë, është shprehur Dade. Duke përmendur deklaratat e ndërkombëtarëve në lidhje me këtë çështje e duke veçuar komisionerin Olli Rehn, Dade ka përforcuar idenë e momentit të papërshtatshëm. Mesa duket aktorët kryesorë të Bashkimit Europian nuk e mendojnë momentin më të përshtatshëm dhe sigurisht në mënyrë të përsëritur komisioneri Olli Rehn, ka deklaruar se Shqipëria duhet të përmbushë pikë së pari standardet politike", u shpreh Arta Dade. Komisioneri evropian për zgjerimin Olli Rehn deklaroi se vlerësimi për dorëzimin e aplikimit nga Shqipëria do të vijë vetëm pas plotësimit të kushtit të zgjedhjeve të lira e të ndershme. Sipas tij, këtë moment të krizës ekonomike në Bashkimin Evropian, por edhe të problemeve të tjera në gjirin e Unionit, Shqipëria duhet ta shfrytëzojnë për të plotësuar të gjitha kushtet në mënyrë që në një kohë më të mirë në të ardhmen të hedhin të sigurt hapin tjetër drejt Bashkimit Evropian. Ndërsa ish ministrja e jashtme, Dade, duke theksuar faktin se standardet e kërkuara janë larg realizimit, veçon afatin e përcaktuar nga presidenti Topi për anëtarësimin e plotë në union. "Nuk duhet ti marrim dëshirat për realitete, të gjithë do të dëshironim që tashmë Shqipëria të ishte anëtare me të drejta të plota, por mesa duket jemi ende larg plotësimit të standardeve". Sipas rezolutës të votuar pak kohë më parë në Kuvend, forcat politike lënë në dorë të qeverisë përcaktimin e kohës së aplikimit. Por, sipas Dades ky veprim nuk duhet të vijë në mungesë të konsultës me ndërkombëtarët.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›