E Diel, 1 Nëntor 2026

Manjani: Krimet në Shqipëri me hapa galopante

Partia Socialiste ka shprehur shqetësimin e saj për rritjen e situatës kriminale në Shqipëri. Vetëm në fillimin e këtij viti është konstatuar një rritje e krimeve që mbushin çdo ditë kronikën e zezë në media. Këtë deklaratë e dha dje Kryetari i  Komisionit për Administratën, Sigurinë dhe Rendin Publik,Ylli Manjani. Nga njëra anë shqiptarët sot përjetojnë çdo ditë lajmet e kronikë së zezë të krimeve të ndryshme, e nga na tjetër janë të detyruar të dëgjojnë propagandën e kryeministrit dhe zëdhënësave të tij, që fshehin dukshëm realitetin e dhimbshëm kriminal në vend, u shpreh Manjani. Sipas tij, është konstatuar se që në fillim të këtij viti e deri më sot, në lajmet e kronikës së zezë, rezulton se jeta e shqiptarëve kërcënohet nga krimi i të gjitha formave të shfaqjes së tij. Ekzekutimet e tipit mafioz vazhdojnë të tronditin rëndë opinionin publik. Vrasjet e drejtpërdrejta e deri edhe me mjete të shkatërrimit në masë  janë bërë sot pjesë e frikshme e jetës sonë. Manjani tha se jeta  dhe shëndeti i shqiptarëve sot kërcënohet dukshëm dhe në mënyrë të rritur nga puna e zezë dhe jashtë rregullave të sigurimit teknik. Mjekimi pa kushte normale e njerëzore në sipal, aksidentet automobilistike dhe në jo pak raste edhe nga vetë dhuna e policisë. Pasuria e shtetasve dhe kryesisht vjedhjet e shtëpive apo makinave  kanë pësuar një ngritje shqetësuese në dy muajt e parë të këtij viti. Rastet e raportuara në media tregojnë për një rritje deri në dyfish të numrit të vjedhjeve të banesave dhe makinave, krahasuar me mesataren vjetore të një viti më parë. Gjithashtu, sipas Manjanit është shqetësuese edhe rritja e numrit të grabitjeve të institucioneve financiare të nivelit të dytë në vend.  Burimi i gjithë këtyre konstatimeve, sipas Manjanit është keqqeverisja e shtetit nga ana e Sali Berishës.Shteti i sotëm është marrë peng nga keqqeverisja e kryeministrit. Shteti sot është shndërruar në një mjet propagande, për të shitur gënjeshtrat dhe jo për të siguruar shqiptarët. Sali Berishës i intereson vetëm një shtet elektoral dhe jo shtet për shqiptarët, u shpreh Manjani.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›