E Shtunë, 31 Tetor 2026

Doris Pack: Qeveria mos të kërkojë aplikimin për statusin e vendit kandidat

Ndërkombëtarët kundër idesë së Berishës
I pakuptueshëm qëndrimi i opozitës shqiptare dhe një pjese të ndërkombëtarëve, kundër kërkesës shqiptare për statusin e vendit kandidat. Tashmë që të gjitha kushtet janë plotësuar vëmë re se një pjesë e politikës shqiptare, por edhe ndërkombëtarët lëshojnë këshilla që të mos të bëhet kërkesa për statusin. Qeveria shqiptare dita ditës përforcon deklaratën e saj se presidenca çeke është kohë optimale për aplikim, e statusit kandidat në BE, ndërkohë që  ndërkombëtarët nga ana e tyre këshillojnë qeverinë shqiptare të tregohet e duruar dhe e matur. Sipas tyre, aplikimi i Shqipërisë në këtë periudhë nuk është e këshillueshme, por e mira është që fitimi i këtij statusi të vinte pas pjekjes së kushteve të vendit dhe detyra kryesore që çon në realizimin e tyre, është zhvillimi i zgjedhjeve transparente dhe të ndershme nga të gjithë faktorët politikë. Ndërkohë që një tjetër element, i cili nuk kushtëzon aplikimin e Shqipërisë, janë zgjedhjet e Parlamentit Evropian, gjatë së cilit do të zgjidhet një Komision të ri, që nuk do të jetë i disponueshëm të kthejë një përgjigje konkrete për Shqipërinë, nëse aplikimi do të ndodh në muajin prill. Pas deklaratës një ditë më parë të Komisionerit Evropian Olli Rehn, i cili vuri në dukje se Shqipëria, dorëzimin e aplikimit, është mirë ta kryejë pas plotësimit të kushtit të zgjedhjeve, të kritereve politike dhe reformave të tjera në vend, vjen një tjetër zë nga Brukseli. Kësaj here kjo deklaratë vjen më e qartë dhe më e drejtpërdrejtë me qeverinë shqiptare, e cila këshillohet që të mos nxitohet për aplikimin e statusit kandidat. Këtë apel për qeverinë shqiptare e ka dhënë kryetarja e delegacionit për Evropën Juglindore në Parlamentin Evropian, Doris Pack. Ju lutem prisni. Prisni dhe nëse e bëjnë në fund të vitit aplikimin atëherë mund të marrin përgjigjen vitin tjetër. Kjo do të ishte rruga korrekte. Më besoni, shprehet Pack. Ndër të tjera ajo ka veçuar se një aplikim, të cilit do ti mungonte përgjigja e shpejtë e BE-së është më i dëmshëm për vendin sesa pritja për ta bërë këtë gjë në një moment më të përshtatshëm. "Mendoj se fillimisht duhet të them se Shqipëria ka bërë hapa të mëdha përpara dhe për këtë duhet ta vlerësoj. Por, nuk është momenti për të kërkuar statusin kandidat. Sepse nëse e shihni çfarë ndodh në BE në këtë moment që po flasim, do të kemi dhe zgjedhjet e Parlamentit Evropian, do të kemi një Komision të ri. Ata nuk do të marrin asnjë përgjigje. Kjo do të thotë se ta bësh kërkesën në muajin prill për shembull, atëherë nuk do të ketë asnjë përgjigje gjatë këtij viti dhe do të duhet të presin, ka theksuar Pack. Sipas saj është tepër frustruese, që të kërkosh diçka dhe të mos marrësh përgjigje në kohë, sesa të presësh dhe të vazhdosh të punosh drejt Bashkimit Evropian. Unë mendoj se nuk ju bën asnjë dëm nëse ata presin. Si një mike e Shqipërisë unë mund tju them, ju lutem prisni. Dhe mos e përdorni këtë për ndonjë manovër politike pasi kjo gjë nuk ju ndihmon", u shpreh kryetarja e delegacionit për Evropën Juglindore në PE. Nëse Shqipëria do të arrijë aplikimin gjatë presidencës çeke, sipas kryetares së delegacionit, Pack nuk do të arrihet marrja e dritës së gjelbër gjatë këtij viti. Ju flas nga eksperienca ime. Tani kemi presidencën çeke, por presidenca çeke nuk mund ta bëjë e vetme pasi duhet të jenë dakord të 27 vendet dhe pikërisht në këtë moment ne kemi probleme të tjera sesa ti përgjigjemi kësaj kërkese. Duke veçuar zgjedhjet dhe konstituimin e Komisionit të ri, Doris Pack, ka përforcuar mendimin e saj, që nuk do të ketë asnjë përgjigje këtë vit. Vlen të theksohet se në këtë çështje Doris Pack nuk përfaqëson vetëm opinionin e kryetares së delegacionit europarlamentar me rajonin e Ballkanit, por edhe vendin e saj, Gjermaninë, e cila, përveç reçesionit ekonomik dhe problemeve brenda BE-së, përballet këtë vit me zgjedhje të shumta në vend,të cilave iu shtohen edhe ato të Parlamentit Evropian. Ndërsa ministri i jashtëm Lulzim Basha disa ditë më parë ka përcaktuar presidencën çeke kohë optimale për aplikim, dhe ka theksuar se Shqipëria nuk demonstron ngërc, as stanjacion, as nervozitet për të përshpejtuar në mënyrë të panatyrshme një proces, baza e të cilit është suksesi i reformave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›