E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha premton rritje të buxhetit për artin dhe kulturën

TIRANË- Kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, do t’i kushtojë vëmendje të veçantë artit dhe kulturës, duke premtuar rritje të buxhetit. Po dje, ai ka bashkëbiseduar me banorët e Njësisë Bashkike numër 7, platformën e tij, ku për herë të parë vihet në qendër qytetari. Në formatin e ri që po aplikohet për herë të parë në Shqipëri, “Townhall meeeting”, Basha i është përgjigjur interesit të qytetarëve në lidhje me shqetësimet që hasin përditë, si infrastruktura, strehimi, transparenca, e deri te politikat sociale. Keni thënë që do ta bëni Bashkinë më shumë transparente, si?, - pyeti një qytetar i pranishëm. “Do krijojmë një kulturë të re konsensusi me qytetarët, për interesat e qytetit dhe testi më i madh këtu do të jetë plani i ri urbanistik i Tiranës dhe unë ju siguroj se do të bëj gjithçka, që ky plan i ri urbanistik të ketë shenjën biometrike të çdo qytetari të Tiranës”, u përgjigj Basha. Një tjetër pyetje, drejtuar Bashës, ishte se çfarë mund të bënte ai për trajtimin e moshës së tretë. “Pikësëpari do ngre pranë çdo njësie vendore një qendër sociale, për të moshuarit me kujdes të përditshëm dhe me kapacitet të përnatshëm me shtretër. Të moshuarit aty do kenë shërbim mjekësor falas, aktivitete ndërvepruese të përditshme me njëri-tjetrin, shtyp falas dhe lehtësi të tjera. Së dyti, në qytetin e Tiranës, çdo pensionist apo pensioniste mbi moshën 65 vjeç, do të ketë transport publik falas”, - tha Basha. Kandidati i mazhorancës e kishte një përgjigje edhe për të pastrehët: “Do të nisim menjëherë nga puna, duke venë territoret publike të Bashkisë në dispozicion të qytetarëve të Tiranës. Do ndërtojmë në këtë mënyrë, në partneritet me sektorin privat, në katër vitet e ardhshme, të paktën 1 mijë apartamente për të pastrehët. Për çiftet e reja do të kemi një fond special të garantuar nga Bashkia e Tiranës, që do të bëjë të mundur kredi të zbutura”. Në projektin e Lulzim Bashës, një vend të veçantë zë politika për artin dhe kulturën. Artistët, sipas Bashës, do të gjejnë te Bashkia një mbështetës të madh të projekteve të tyre. Për tu ardhur në ndihmë artistëve, Basha parashikon rritje të buxhetit të Bashkisë për artin dhe kulturën. Duke përqafuar idenë e hedhur nga artistët për ta shndërruar Tiranën në një kryeqytet europian të kulturës, Basha e ka vendosur si objektiv të punës së tij. Ashtu si për sportistët, edhe për artistët, Basha premtoi ngritjen e një fondi ekselence nga Bashkia. “Unë besoj se ka ardhur koha që ne t’i vëmë vetes objektiv që Tirana të jetë kryeqyteti europian i kulturës në 5 vitet e ardhshme. Ka ardhur koha që ky qytet dhe qytetarët e tij të marrë përgjegjësitë e veta për trashëgiminë e jashtëzakonshme kulturore e artistike dhe autorët e saj. Unë jam i vendosur të përdor të gjithë energjitë bamirëse të këtij qyteti, por me Bashkinë në krye, që të themelojmë një fond ekselence për të siguruar dinjitetin e plotë njerëzor, në çdo ditë të jetës të çdo autori, prodhuesi, të vlerave artistike kulturore të Tiranës dhe Shqipërisë. Unë ju premtoj se fondin e ekselencës do ta bëj realitet Brenda vitit 2011”, - tha Basha. Ndërkohë, shërbimet e munguara për taksat e mbledhura nga Bashkia e Tiranës, është shqetësimi i të gjithë tregtarëve në kryeqytet. Përvecse u duhet të paguajnë taksa gjithnjë në rritje, tregtarët duhet të sigurojnë vetë pastrimin dhe gjelbërimin. Ky fakt iu bë i ditur kandidatit për Kryetar të Bashkisë Tiranë, Lulzim Basha, nga tregtarët e Medresesë. Basha u bëri me dije se brenda këtij muaji, në krye të Bashkisë, do të ulë taksën e pastrimit dhe do të heqë taksën e gjelbërimit dhe të tabelës. Kjo, sipas Bashës, do të ndikojë në rritjen e të punësuarve dhe do të sjellë paga më të mira për punonjësit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›