Berisha: Vota për Xhaferajn, votë për hapjen e vendeve të reja të punës
TIRANË- Në mbyllje të fushatës së Partisë Demokratike në Durrës, Kryeministri Sali Berisha, u ka kërkuar qytetarëve që të votojnë për kandidatin e mazhorancës, Ferdinand Xhaferaj, sepse, sipas tij, vota për këtë të fundit, do t’i hapë rrugë krijimit të mijëra vendeve të reja të punës në industri, turizëm etj. “Jam sot këtu për tu zotuar se gjatë këtij mandati do të asfaltojmë çdo rrugë dhe rrugicë, çdo shesh të këtij qyteti dhe do të ndërtojmë një nga bulevardet më madhështore në Shqipëri, bulevardin Durrës- Kallm. Vota juaj më 8 maj për Ferdinand Xhaferrin do të jetë votë për Durrësin me ujë 24 orë në 24 orë, do të jetë votë për Durrësin akademik dhe universitar me njërin prej universiteteve me moderne dhe më të fuqishëm të vendit. Vota juaj më 8 maj për Ferdinand Xhaferrin do të jetë votë për Durrësin industrial me një rritje prej së paku 4 herë të prodhimit të tij. Vota juaj më 8 maj për Ferdinand Xhaferrin do të jetë votë për potencialet e jashtëzakonshme, trashëgiminë e jashtëzakonshme kulturore të qytetit tuaj, por edhe për gjeninë krijuese të qytetarëve të Durrësit”, - tha dje Berisha. Po dje, Kryeministri Berisha ishte i pranishëm në takimin përmbyllës të fushatës elektorale në qytetin e Shkodrës, ku për kryetar të kësaj bashkie në emër të koalicionit “Aleanca për qytetarin” kandidon Lorenc Luka. Ndryshe nga herët e tjera, Kryeministri Berisha ka qenë i shkurtër në mesazhe, por edhe në premtime. Ai shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Shkodra i ka dhënë Partisë Demokratike në vite. “...Unë jam këtu për tu zotuar para jush se për sa kohë t’i besoni Partisë Demokratike, kjo parti, kjo qeveri, çdo ditë, çdo javë, çdo muaj e çdo vit do t’i shtrojë vetes pyetjen: çfarë të bëj më shumë për qytetarët e Shkodrës, çfarë të bëj më shumë për qytetarët e Shqipërisë? Ne jemi të bindur se sado që të bëjmë, nuk arrijmë kurrë të bëjmë atë që ju keni bërë dhe bëni për Shkodrën, keni bërë dhe bëni për Shqipërinë”, - tha dje Berisha. Duke u kërkuar qytetarëve mbështetje për Lorenc Lukën, Berisha garantoi se katër vitet që vijnë do të jenë vitet e investimeve të mëdha në kampusin e universitetit të Shkodrës, në institucionet kulturore, artistike, dhe në mbarë shkollat e kopshtet e qytetit. “Ne jemi të bindur se në rrugën tonë bëjmë gabime, se në rrugën tonë kemi edhe të meta, por ka një gjë për të cilën ne nuk gabojmë kurrë dhe nuk gabojmë për besimin tek ju, te forca, te energjitë, të mendja juaj e ndritur, te përkushtimi, te dinjiteti, te ndershmëria juaj”,- tha ai.