Basha pret ambasadorin e San Marinos
Ministri i Punëve të Jashtme, z. Lulzim Basha, priti në një takim ambasadorin e ri të San Marinos, zotin Xhuzepe dela Balda, ambasadori i ri jorezident i Republikës së San Marinos në Shqipëri, me rastin e dorëzimit të kopjeve të letrave kredenciale.
Ministri Basha, pasi i uroi ambasadorit Dela Balda suksese për plotësimin sa më mirë të misionit të tij diplomatik në vendin tonë, falënderoi në veçanti shtetin, qeverinë dhe popullin e San Marinos për njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke e konsideruar këtë të fundit si një nga të vetmet alternativa për paqen, stabilitetin dhe integrimin e plotë të të gjitha vendeve të rajonit në familjen e madhe euro-atlantike. Ambasadori Dela Balda nënvizoi se historia shumë e vjetër, si dhe vlerat e përbashkëta të popujve tanë do të shërbejnë si themel për të intensifikuar më tej bashkëpunimin dypalësh në fusha me interes të përbashkët.