Shqipëria ndryshon ambasadorin në OKB
Komisioni kuvendor për Politikën e Jashtme, zhvilloi ditën e djeshme një seancë dëgjimore me Ferit Hoxhën, i cili është si kandidat për ambasador i vendit tonë në OKB. Njëkohësisht, deputetët e Komisionit kanë dëgjuar edhe Kujtim Xhanin, kandidat për ambasador në Republikën Popullore Demokratike të Koresë, Republikën e Koresë dhe në Republikën Socialiste të Vietnamit. Ferit Hoxha, një diplomat karriere, i cili aktualisht mban postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme, bëri një prezantim të karrierës së tij të deritanishme. “Nga vitet 1992-'95 kam qenë pjesë e delegacionit shqiptar që përfaqësonte Shqipërinë në Kombet e Bashkuara”. Në rast se kandidatura e tij do të miratohet nga kreu i shtetit, atëherë prioritet i punës së diplomacisë shqiptare në OKB do të jetë përfaqësimi i interesave të vendit dhe ndjekja e çështjes së Kosovës. “Kosova dhe OKB-ja kanë një marrëdhënie sa të ngushtë, aq edhe të zhdrejtë për momentin”, - tha përpara deputetëve Ferit Hoxha. Kandidati tjetër, Xhani, vuri në dukje rëndësinë që kanë vendet aziatike, të cilat kanë mjaft influencë në zonën e kontinentit lindor. “Prioritet i punës sime do të jetë rritja e nivelit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe këtyre vendeve”, - tha Xhani, i cili pritet të emërohet si ambasador i tri vendeve aziatike.